Ministrja bullgare: Zjarri në autobusin e “Besa Trans” është shumë i çuditshëm, ka filluar shumë shpejt

Ministrja e përkohshme e Zhvillimit Rajonal të Bullgarisë, Violeta Komitova, komentoi për BNT se ka diçka shumë të çuditshme, e ajo është se zjarri shpërtheu shumë shpejt dhe u përhap, gjë që ndodh në raste shumë të veçanta.

“Aksidenti me autobusin maqedonas kombinohet me zjarr. Shpërthimi është më i rëndë se zjarri, sepse nuk ka kohë për të reaguar”, shtoi Komitova, eksperte për mbrojtjen e objekteve nga zjarri.

Ajo tregon se rrethanat kanë qenë përplotë me elementë shpërthyes.

“Zjarri në autobusin e “Besa Trans” ka prekur objekte që janë djegur shumë shpejt dhe nuk ka pasur kohë për reagim nga pasagjerët. Të krijohet përshtypja se shoferi nuk ka tentuar të zbresë nga autobusi, megjithëse ka pasur më shumë kohë për t’u evakuuar nga autobusi. Shoferi e njihte këtë rrugë sepse udhëtonte çdo javë. Fatkeqësisht, raporti nga inspektimi  nuk është kompletuar”, sqaroi ministrja për zhvillim rajonal të Bullgarisë.

Gardhi i sigurisë rrugore, thotë Komitova, është bërë sipas një projekti të vitit 2002, që nuk do të thotë se është jashtë normave, duke shtuar se në kohën kur është ndërtuar ka qenë sipas rregullave.