Ministrja serbe e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq, propozoi pezullimin e Facebook, Twitter, Instagram dhe TikTok për një periudhë të caktuar. Këtë propozim ajo e bëri pas dy vrasjeve masive në shkollën e Beogradit dhe në Mlladenoc.
“Mund të jetë e nevojshme të pezullohen Facebook, Instagram, Tiktok dhe Twitter për një muaj. Një muaj restart, le të kthehen në disa veprime normale. Tiktok është në qendër të vëmendjes, asgjë nuk është më e mirë, madje as Twitter”, thotë Grujicic për TV Pink.
Ajo theksoi se të hënën në Klinikën e Fëmijëve për Neuropsikiatri janë pranuar katër fëmijë, dy prej të cilëve kanë pasur idenë për të vrarë dikë, dhe dy kanë dashur të vrasin veten, por kanë ardhur në këtë institucion shëndetësor për ndihmë profesionale dhe kanë kërkuar që të shtrohen në spital.
Grujiçiq propozoi pezullimin e Facebook, Twitter, Instagram dhe TikTok për një periudhë të caktuar.
“Nuk është puna se me këtë po dërgojmë mesazhe urrejtjeje ndaj rrjeteve. Ndoshta është koha për të ndaluar të gjitha ato rrjete në Serbi, të paktën për një kohë. Dikush do të thotë ‘ajo është radikale, kështu ka qenë gjithmonë’. Në mjekësi, nëse nuk ka hierarki dhe protokolle, ne e humbim pacientin, e ne mjekët nuk e kemi atë luks”, tha ministrja serbe e Shëndetësisë.(INA)