MIRASH IVANAJ pioner i arsimit kombëtar

0

Nga Eugen Shehu/

Nëse fatet e Shqipërisë do të ishin bashkëudhëtarë të fateve njerzore të bijve të saj,kjo sigurisht ka të bëjë me kultin emblematik të atdhetarizmit.Pa lënë në haresë luftërat me armë në dorë,betejat epokale të mijëra trimave ndër vite,unë do të thosha se atdhetarizmi shqiptar ka buruar edhe prej atyre urave të dritës,që bijtë e shqipes,ndërtuan në shekullin që lamë pas.Ato ura drite në fakt,lidhën brigjet e harruara të Shqipërisë,me qytetërimin modern evropian,provuan tek e mbramja se shqiptarët nuk e duan lirinë vetëm nëpërmjet grykës së pushkës,por edhe mes shkrepëtimave së dritës.Mirasi Ivanaj,ky pioner i arësimit kombëtar shqiptar,vuri në themelet e ngrehinës së shkollës shqipe,jo vetëm talentin dhe aftësinë e vet,por edhe gjakun.
Lindi në vitin 1890,në fshatin Benkaj,në territoret shqiptare,që në mënyrë të padrejtë i aneksoi Mali i Zi,në shekullin e 19-të.Prej prindërish mori së pari edukatën me dasht gjithmonë trojet amtare,të cilat anipse ishin rrëmbyer prej tjetërkujt,por ato prej shekujsh kishin qenë shqiptare dhe të tilla do të mbeteshin.Por prindërit ngulmuan t’i jepnin edhe kënaqsinë e të lexuarit.Dhoma e vogël e Mirashit,atje në fshatin e largët Benkaj,gjithmonë e më shumë rritej prej librave.Mësimet e para i mori në vendlindje e mandej në Triepsh.Kur mbaroi këto vite shkollore,zotëronte njohuri mjaft të thella për moshën që kishte dhe sidomos dallohej në përvetsimin e gjuhëve të huaja.Në vitin 1913 do të shkonte në Romë ku do të konkuronte për studime të larta në Universitetin Mbretërorë.Ndërsa rregjistrohej,dikush prej miqve i pat thënë Mirashit të deklarohej si malazes se kjo mund ta ndihmonte në marrjen e konkursit.Në mënyrë të prerë,lakonike,ai iu përgjegj mikut të vet ; “Besa,vetëm për të mohue atedheun mos me fol !”.Gjatë viteve 1913-1923,ai do të ishte ndër nxënësit e shkëlqyer të Universitetit Mbretërorë të Romës,madje duke marrë si trofe edhe disa medalje për njohuritë e thella të fituara.Studioi sidomos në shkencat e jurispodencës historisë dhe pedagogjisë,duke ngulmuar të njohë nëpërmjet burimeve arkivore italiane dhe sidomos prej atyre të Venedikut,historinë e kombit të vet.
Në verën e vitit 1923,pas një decenie të shkëlqyer të qëndrimit dhe studimit,autoritete e larta të Universitetit Mbretërorë të Romës,i propozojnë studentit shqiptar Mirash Ivanaj,që të jape lesione në këtë Universitet në jurispodencë.Përgjigjja e studentit shqiptar ka qenë tejet falenderuese dhe korrekte se ai refuzonte,ngase,medoemos do të shpërndante dituri në atdheun e vet,në Shqipëri.Pas kësaj,kthhet në Benkaj,takohet i malluar me prindërit e vet dhe brenda disa ditëve i dërgon telegram Ministrisë së arësimit shqiptar,ku i lutet të fillojë punë,në çdo shkollë,në çdo institucion,në çdo cep të Shqipërisë,pa asnjë lloj kondite.Ministria e atëhershme shqiptare e arësimit,duke patur parasysh këtë kërkesë,por edhe diplomimin e shkëlqyer të Mirash Ivanajt në Romë e emëroi mësues në gjimnazin shtetërorë të Shkodrës,gjimnazi i cili kishte bërë emër dhe ku shkonin të mësonin nxënës nga të gjitha viset etnike shqiptare.”Njohës i 11 gjuhëve të huaja… kur e desh nevoja,ai i dha të gjitha lëndët mësimore në gjimnazin e Shkodrës.Më shumë shkëlqeu në matematikë dhe latinisht.Po me formë pedagogjike ai ndjeu vehten në histori,sidomos në historinë e shqipërisë,ku bëri edhe punë kërkimore në autoktoninë dhe vazhdimsinë iliro shqiptare”.(“Gazeta Shqiptare”-Tiranë më 5 gusht 2001 ).
Tri vite më pas,duke parë shkollën e lartë të përgaditjes,seriozitetin dhe pedagogjinë,Mirash Ivanajn e caktojnë në detyrën e drejtorit të gjimnazit shtetërorë të Shkodrës.Në këtë detyrë ai do të punonte me përkushtim të rrallë,i bindur se edukata morale dhe qytetare e brezit të ri,kishte të bënte në mënyrë të drejtpërdrejtë me ardhmërinë e vendit të vet.Ndonëse funksioni i tij,kish të bënte me një sërë burokracish të sistemit arësimor të atëhershëm,Mirash Ivanaj nuk u nda në asnjë ditë prej nxënësve të vet.Ai gjente kohë jo vetëm të jepte disa orë mësimi në ditë,por gjithashtu edhe të rrinte në grupet e gjimnazistëve shkodranë,të cilët shihnin tek drejtori i tyre “rreptësinë” brenda orës së mësimit,si edhe dashurinë prej vëllait të madh,në ambjentet e tjera jashtëshkollore.Duhet cekur se në vitet 20-30 të të shekullit që lamë pas,dominenca italiane u rrek të nëpërkëmbe vetëdijen nacionale të shkollave shqiptare,duke dashur të fuste në mendjet e tyre,”mirënjohjen” që ata duhet të kishin për fashizmin italian dhe sidomos për Duçen.Gjatë kryerjes së detyrës,si drejtor i gjimnazit në Shkodër,Mirash Ivanaj,ndonëse ish nderuar dhe lavdëruar disa herë prej Universitetit Mbretërorë të Romës,shpalli publikisht faktin që gjimnazi ishte shtetërorë dhe në themel të njohurive që ai duhej të shpërndante,ishte së pari respekti dhe mirënjohja për kombin shqiptar,historinë dhe martirët e këtij kombi.Është pikërisht kjo mendësi e tij për arësimin,me ç’rast në një informacion që i dërgonte Ministrisë së Arësimit shqiptar më 28 korrik 1930,pos të tjerave i kumtonte asaj ; “Arësye e këtij veprimi asht kjo ; shkolla e mesme në Shqipni,përveç qëllimit të kulturës së përgjithshme,ka veçanërisht këtu ndër ne,një qëllim më të lartë,asht zhdukja e ndjesive të dasive që propagandat e ndryshme për shekuj e shekuj,kanë shtrirë në shpirt e në mend të këtij populli.Prandaj duhet punue për krijimin e një ndjesie të re,së cilës mund t’i mbrohet vetëm me çeljen e një horizonti ma të hapët”.Ide të tilla,ç’ka padyshim ishin tejet përparimtare dhe atdhetare për ate kohë,bënë që emri i Mirash Ivanajt,të mbahej nëpër kuvende shkodrane plot respekt.Për më tej duke ecur në traditën e shkëlqyer shkodrane të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjelltë midis religjioneve fetare në ate qytet,Mirash Ivanaj,dha ndihmesë të pakursyer lidhur me përpjekjet e ndryshme kulturore që bashkonin shqiptarët mes vedi.Për te ishte një edukim dhe shprehje e besimit fetar,edhe kur shkonte në kishë edhe kur shkonte në xhami,mandej ndër miqtë e tij të mëdhenj,në Shkodër,ishin Kazazët, familje e njohur me preardhje të lashtë myslimane.Sidoqoftë,në Shqipërinë e viteve 20-30,të shekullit të kaluar,atëherë në ate truall të lashtë arbëror mplekseshin njëmijë e një interesa ballkanike e më gjërë,nuk ishte thënë që gjithashtu të shkonte mrekullisht.Pikërisht,kur në programin e gjimnazit shtetërorë të Shkodrës,të tjerë kërkonin të fusin elementë të “respektit” ndaj Imperatorisë Romane,Mirash Ivanaj nuk pranon.Ai bëhet barrikadë e fuqishme ndaj proceseve të tillë politike që kërkonin të ingranoheshin në jetën mësimore të nxënësve të vet.Dhe kur e sheh se është vështirë të ruaje independencën morale të tij jep dorëheqje.Mësuesi i talentur,poliglot,por mbi të gjitha një atdhetar i madh,ai jep dorëheqjen duke shënaur se ishte gati të jepte mësim në çdo Shkollë të Shqipërisë,por pa u ngatëruar me funksione të tilla shtetërore të cilat nuk mund t’i përballonte për shkak të bindjeve të veta morale dhe atdhetare.Kështu në fillim të vitit 1932,ai do të jepte mësim në gjimnazin e Tiranës,si mësues i thjeshtë.e prekshme ka qenë dita e largimit të tij nga Shkodra.Ish nxënësit e tij,kujtojnë se shtëpia e mësuesit,në mëngjezin që ai do të largohej për në Tiranë,ishte rrethuar nga qindra vetë.Madje në duart e nxënësve nuk munguan edhe flamuj të vegjël kuqezi.Kjo ishte mënyrë me të cilin ata përcillnin në Tiranë drejtorin e tyre “të rreptë” duke u treguar edhe autoriteteve të larta shtetërore të asaj kohe se çfar mund të ndjenin gjeneratat për një atdhetar së pari e mandej drejtor shkolle.Mirash Ivanaj,do të shpalloste vlerat e tija të mëdha edhe në gjimnazin e Tiranës.Aty,ndonëse do të ishte nën ndikime më të forta të politikës Italiane,ai sërisht ka shpalosur në gjirin e nxënësve të vet dashurinë për kombin e vet.Një sërë veprimtarish,në rrafsh të autoktonisë ilire,të ideuara dhe drejtuara prej Ivanajt,në vitet 1932-1933,së bashku me nxënësit e gjimnazit shtetëror të Tiranës,bënë që emri i tij,të përcillej me respekt deri në instancat më të larta të Mbretërisë shqiptare.Mandej ministri i arësimit i asaj kohe,atdhetari tjetër i shquar Hil Mosi,nuk harronte të sillte nëpër takime,shembullin e vyer të mësuesit Ivanaj në gjimnazin e Tiranës.Kjo është arsyeja që Mirash Ivanaj,u pa nga qeveria shqiptare e asaj kohe dhe nga vetë Mbreti i Shqiptarëve,Ahmet Zogu,si një nga protagonistët kryesorë të reformave thellësisht bashkëkohore dhe atdhetare në arësimin shqiptar.Në janar të vitit 1933,ai thirret nga Mbreti Ahmet Zogu dhe ngarkohet me detyrën e Ministrit të Arësimit.Në fjalën e vet,(e cila u publikua në shtypin e kohës disa ditë më pas ) Mirash Ivanaj pos të tjerave kumtoi ; Lartëmadhëria e tij Mbreti,pati mirësinë të më ngarkoj për Ministrin e Arësimit.Në këtë vepër të vështirë,që si bateri kryesore të përparimit të përgjithshëm të popullit,duhet në strategjinë e vet,t’i gatuaje Shqipërisë,qytetar të mirë e shqiptëtarëve një kulturë shqiptare,do të kem gjithnjë pa u dridh,pa u shmang e pa u ndalë,si prijës,drejtësinë dhe ligjin”.
Edukata dhe kultura e marrë në 10 vjetë studime në Univeristetin Mbretëror të Romës,kishin lënë gjurmë të thella në personalitetin e Ivanajt.Ai dijti të orientohej në vitet e punës së tij si Ministër,kurdoherë nga kahja kombëtare e arësimit,i bindur se anipse mund sërsih të kishte telashe,tek e mbramja,gjeneratat e reja shqiptare do të edukoheshin me dashurinë për kombin e vet.Pikërisht në vitet 1933-1935,kur propaganda italiane synonte të fuste në shkollat shqiptare,një mori ndërimesh alla fashiste,Ivanaj porosiste krej mësuesit e shkollave shtetërore shqiptare që t’u mësonte nxënësve hymnin kombëtar dhe vetëm ky do të ishte hymni i lejuar në çdo mjedis shkollor deri në fshatin më të largët të Shqipërisë.Në krye të ministrit të arësimit,Mirash Ivanaj solli koncepte moderne edhe mbi funksionimin e shkollave private në Shqipëri.Kanë qenë sigurisht ndikimi dhe idetë e tij,kur Mbreti i Shqiptarëve,Ahmet Zogu firmos dekretligjin që të gjithë drejtuesit ekzekutiv të shkollave të huaja në Shqipëri,duhet të kenë kombësi shqiptare,më saktë duhet të drejtohen prej shqiptarëve.Ngase fliste rrjedhshëm 11 gjuhë,Mirash Ivanaj,nuk mungoi të shkonte vetë në shkolla,të shihte programet,të ndërhynte konkretisht ,dhe në ndonjë rast,kur shihte tendenca për t’i politizuar këto shkolla,në dëm të kombëtarizmit të arësimit shqip,krejt kompetente, ai ka firmosur mbylljen e tyre.Gjithsesi ajo që më vonë,do të quhej “reforma e Ivanajt” ishte përpjekja e tij për të çuar në shkollat evropiane,pikërisht ata nxënës që e merritonin plotësisht ate.Dihet se në ato vite,mungonte Univeristeti në Shqipëri ndaj ministria e arësimit shqiptar kishte ndërmarrë nismën të studionte me paratë e buxhetit të shtetit,juristë,ekonomistë,ushtarak e inxhinjerë,agronomë e veterinarë,të cilët do t’u përgjigjeshin më vonë,vetë nevojave që kishte Shqipëria e atyre viteve.Mjerisht shpesh ndodhte që,disa studentë dërgoheshin atje përmes një miqsie apo dhe rryshfeti,kjo i sillte dëme të mëdha shtetit qoftë në pikpamje morale,qoftë në ate buxhetore.Përballë kësaj gjendjeje,ministri i arësimit Mirash Ivanaj nuk mund të rrinte duarkryq.
Së pari ai vendosi kritere të rrepta për ata shqiptarë që kërkonin të studionin nëpër europë me paratë e shtetit.Përcaktoi konkurset si kriter bazë dhe vendosi në përbërje të komisioneve përkatëse,mësues të denjtë shqiptarë,të cilët vite e vite kishin ruajtur të papërlyer figurën e tyre si edukatorë të gjeneratave. Në këto konkurse,Mirash Ivanaj shpalli si të padiskutueshëm faktin që vlerësimi i komisionit të përcaktuar me ligj dhe askush nuk mund të diskutojë vendimet e dhëna prej tij.Për më tej,Mirash Ivanaj mblodhi të dhëna të sakta mbi ecurinë e studentëve shqiptarë,të cilët vazhdonin të studionin nëpër universitetet e Europës.Nëse numri i tyre ishte jashtë kapaciteteve të buxhetit të shtetit shqiptar,Ivanaj ndërmorri nismën për prerjen e bursave të studentëve të cilët me rezulltatet e tyre nuk premtonin për ardhmërinë e Shqipërisë.Në këtë kuadër,me firmën e tij,ai i pret bursën edhe studentit Enver Hoxha,i cili më pas prej natyrës kafshore të tij,do të urdhëronte arrestimin dhe egzekutimin e ish ministrit të nderuar shqiptar të arësimit.Pikërisht kjo reformë e ndërmarrë prej Ivanajt,në vitet 1933-1935,krijoi tensione në shtresat e korruptuara të shoqërisë shqiptare të asaj kohe.Pa dashur të tolerojë apo të “shesë” në pazar parimet e veta morale,Ivanaj jep dorëheqjen në mënyrë publike dhe krejtësisht i qetë.Pas kësaj,”Ahmet Zogu që nuk donte të nëpërkëmte vlerat dhe për të vënë në punë efektive një mendje të fuqishme dhe kulturë të pasur, e bëri Ivanajn anëtar të këshillit të shtetit e më vonë kryetar të atij organi të rëndësishëm.Në të njëjtën kohë,për të vjelë nga begatia e tij kulturore posaçërisht juridike,njëkohësisht edhe nga urtësia e njohur mirashjane, mbreti e thërriste ate për konsulltime dy herë në muaj,ditën e premte në orën 11.30”. (“Gazeta Shqiptare” më 5 gusht 2001 ).
Në ditët e para të prillit 1939,Ivanaj parandjeu tragjedinë që po trokiste në dyert e shqiptarëve. Zemra e tij,dhimbte përpara këtij akti dhe nuk mungoi të lërë zyrën dhe të rreshtohet mes nxënësve dhe mësuesve të Tiranës,të cilët kërkonin armë për të luftuar fashizmin.Fjala e tij në gjimnazin e Tiranës më 5 prillin e vitit 1939,do të dëgjohej me respekt të veçantë dhe nxënës dhe mësues do të rrethonin me dashuri ish ministrin e arësimit të tyre,njeriun e thjeshtë,dijetarin dhe patriotin e madh.Kur trupat italiane marrëshonin mbi Tiranë,Mirashi,së toku me vëllanë e vet Martinin u larguan prej andej.Një mik i tyre që i përcolli për në Kufijtë e Maqedonisë shqiptare,i tha Mirashit se shkollimi i tij në Romë,do ta ndihmonte të rrinte në Tiranë,bile të jepte mësim.Ivanaj i që përgjigjur butë se mund të ishte edhe ashtu siç thosh ai,por “kur s’munda me e ba shkollën siç desha,me shqiptarët me italianët as ja vlen mundimi”.Studenti i shkëlqyer i Universitetit Mbretëror të Romës,publiçisti i dhjetra artikujve mbi Shqipërinë,studiuesi dhe shkenctari i preardhjes ilire,juristi i njohur dhe ish ministri shqiptar i arësimit,u vendos në prillin e vitit 1939 në Turqi,ku u detyrua të bënte punë nga më të rëndomtat për të mbijetuar sidomos pas vdekjes së vëllaut të tij,Martinit, jeta iu bë më e padurueshme.Dijetari dhe atdhetari,punonte në punë të rënda fizike për kafshatën e gojës,duke ndjekur sigurisht ngjarjet fatkeqe që kalonte atdheu dhe populli i vet.Në vitin 1944,atëhrë kur fashizmi në Ballkan ra përfundimisht,me ndërmjetsinë e një miku të vet italian, Universitet Mbretëror i Romës,i afron Mirash Ivanajt,një vend pune si profesor.Gjithkush do të mëdyshej përballë këtij fakti ndërsa Ivanaj askurrë.Me të marrë vesh për largimin e ushtrisë gjermane prej trojeve shqiptare ai mendoi të shkoi në atdheun e vet me të vetmen dëshirë për t’i shërbyer atij,për të takuar miq e shokë e për t’u shmallur me nënën e tij plakë,të cilën e pat lënë në një shtëpi të thjeshtë në Tiranë,mes mijëra librave të veta.Rrugët e lira të Tiranës,në verën e vitit 1946,do të mbushnin me gëzim shpirtin e Mirash Ivanajt.Por këto ditë do të ishin të pakta.Rëndom netëve,nëpër këto udhë do të shfaqeshin togat e zeza ( me yll të kuq në ballë) të cilët arrestonin ose vrisnin pa shkak “Armiqtë” e “pushtetit popullorë” ( më saktë kundërshtarët politikë të regjimit gjakatar sllavokomunist).Kjo do të terrorizonte dalë nga dalë edhe vetë shpirtin e butë të Mirash Ivanajt,ngase disa prej këtyre viktimave ishin miqtë e vet të cillët kohë më parë u kishin dalë zot fateve të atdheut.Falë zotësive të tij në fushë mësimdhënësie,Mirash Ivanaj,në vitin 1946,fillon punë në shkollën pedagogjike të Tiranës.Aty pregaditeshin gjeneratat e reja të Shqipërisë,të cilët do të përballeshin më vonë me politizimin e tejskajshëm të shkollës shqiptare.Por sidoqoftë,Ivanaj,nuk u përzie në asnjë çast,me këtë politizim,përtkundrazi u përpoq të edukojë sërsih tek nxënësit e vet,dashurinë për gjuhën, kulturën ,traditat e vyera shqiptare dhe jo përallat sllave të internacionalizmit proletar bollshevik.Ky akt do të përbënte,ashtu si për krejt intelektualët shqiptarë në prirje civilizuese,tragjedinë e madhe edhe për Mirash Ivanajn.
Në majin e vitit 1947,mesa duket radha për t’iu përgjigjur hetuesisë shqiptare ( që vetëm shqiptare s’mund të ishte) i erdhi edhe Mirash Ivanajt.Dikur nëpër arkiva të Ministrisë së Arësimit,servilët e Enver Hoxhës kishin piketuar firmën e Ivanajt i cili i pat prerë bursën diktatorit të urryer,dhe vrapuan të gjejnë njëmijë e një arsye qesharake për dënimin e tij.Pas disa muajsh hetuesi,doli se qëllimi i komunistëve ishte për të ,që ajo kulturë humane dhe të shëndoshë shqiptare perëndimore, për të ngritur në vend të saj,themelet e një kulture sllavokomuniste bollshevike,Qytetërimi perëndimor anatemohej në emër të rendit të ri gjakatar i cili po institucionalizohej përmes krimeve perverse gjithfarësh.Akuza që bollshevikët shqiptar i bënë Mirash Ivanajt në gjyqin e montuar politik,ishin tejet qesharake.Pos të tjerave kjo akuzë,përmendte faktet se Mirash Ivanaj pat studiuar 10 vjet në Romë dhe pat marrë bindje fashiste.Kish qenë ministër në Mbretërinë e Ahmet Zogut dhe proitalian.Më pas ka qenë Kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit dhe është arratisur më 7 prill 1939.Me largimin e tij në Turqi,Egjypt dhe Jerusalem,ai duke qenë njeri i dëgjuar,ka krijuar disa organizata kundër pushtetit popullor.Nuk është e vërtetë se ka ardhur në Shqipëri në vitin 1945 për të shërbyer si mësues po përkundrazi është dërguar nga misionet anglo-amerikane me qëllim diversioni kundër reformave tona.Akoma më paradoks,ishte fakti që serviri organi i akuzës,ku përkundër punës fizike të rëndë që pat kryer Mirash Ivanaj në Turqi,prokuroria kish “gjetur” se gjatë viteve 1939-1945,ky ishte mbajtur me fondet personale të Mbretit Zog.Me ate qetsinë që e pat karakterizuar gjithë jetën,ndonëse i ligur dhe i lodhur fortunash,Mirash Ivanaj në moshën 55 vjeçare,duke qenë dikur një student i shkëlqyer i jurispondencës në Romë, do të përgjigjej pos të tjerave ;
“Unë asnjëherë nuk jam marrë me politik,por shikova punën time,të arësimit.U bëra drejtor shkolle e më vonë ministër i Arësimit.Parti politike në kohën e Zogut nuk ka pasë,unë kam përkrahur elementët me prirje demokratike.Unë nuk kamë qenë kundërshtar i Ahmet Zogut.Këshilli i Naltë i shtetit,nuk kishte fuqi politike por ishte vetëm për të shfaqur mendime e këshilla të fushave të ndryshme.Unë nuk kam qenë anëtar i Partisë Popullore të Ahmet Zogut,por kam qenë besnik i regjimit si nënpunës që isha,deri në prill të vitit 1939-ës… nuk kam krijuar e nuk kam marrë pjesë në asnjë komitet apo organizatë politike,veçse kemi bërë një protestë ndërkombëtare kundër Greqisë,kur kërkonte viset tona të Korçës dhe Gjirokastrës.Nuk kam pasur asnjë lidhje dhe takim me ndonjë formacion angloamerikan,as me englezin Sterling,të cilin s’e kam parrë kurrë”. ( Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dosja Mirash Ivanaj ).
Por gjykatorët komunist nuk merreshin me argumente,sipas tyre duhej të çohej në vend urdhëri i “mëmës Parti” të shokut Enver për likuidimin e menjëhershëm të “armiqve” të “pushtetit popullor”. I konsideruar si i tillë,Mirash Ivanaj,me urdhër të gjykatës Ushtarake të Tiranës,datë 12 dhjetor 1946,dënohet me 7 vjet heqje lirie,pesë vjet humbje të të drejtave politike si edhe konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.Pas këtij dënimi,atdhetari i madh shqiptar do të dërgohet në burgjet famkeqe shqiptare,të cilat çdo ditë e më tepër po u përshtateshin burgjeve bollshevike të Stalinit.Pa asnjë përkrahje,ai do të detyrohej të punonte 20 orë e më shumë,duke përkthyer së paku për të patur mundësi të blinte cigare.Duke qenë se komunistët ja dinin vlerat e mëdha të tij në fushën e përkthimeve,dikur shkuan edhe në birucën ku ai përkthente.Në krye të tyre ishte bollsheviku Bedri Spahiu i cili posa e sheh i thotë se “medoemos do t’i kish ndryshuar tani pikpamjet e tua borgjeze”.Ndëras atdhetari Mirash Ivanaj,i lodhur i dërmuar,në moshën 60 vjeçare,gjeti forca t’i përgjigjej : “Jo pikpamjet,por edhe bindjet e mija,t’ju them të drejtën nuk kam ndryshuar asnjë prej tyre “.
Në shtatorin e vitit 1953,në ditët e mbrame të tij,plaku i urtë Mirash Ivanaj i la përkthimet.Të burgosurit e tjerë,shumica e të cilëve e thërrisnin “profesor” dhe i shihnin si idhull,iu afruan shtratit të bashkëvuajturit të tyre.Mirashi vetëm mundi t’u thoshte se i dhimbte shumë barku.Këta njoftuan komandën e burgut por doktori “vonoi”.Me qëllim,regjimi komunist i asaj kohe, e kishte si traditë që ndaj kundërshatrëve të regjimit nëpër burgje tu “vonohej “ doktori.Diktatura veç më kishte parapëlqyer vdekjen e këtij atdhetari duke nxjerë në shesh edhe fytyrën e tij kriminale edhe ndaj trurit të kombit.Trupi i tij ka qenë hedhur në një gropë dhe vetëm dhjet vjet më pas,të afërmit,miqtë,ish nxënësit,ilegalisht,kanë mundur të rishohin njeriun e shenjtë të tyre,përmes një grumbulli eshtrash të kalbura.Por edhe përmes dritës që la jeta e tij.