Miratohen ligjet që ishin bllokuar nga Ivanovi

0

Ligjet që ish-presidenti, Gjorge Ivanov refuzonte t’i nënshkruaj, deputetët përsëri i votuan me shumicë të votave dhe që nesër dekretet e ligjeve do të gjenden në tavolinën e shefit të ri të shtetit, Stevo Pendarovskit, për nënshkrim. Pendarovski paralajmëroi se një nga obligimet e tija të para pas marrjes së funksionit, do të jenë nënshkrimi i ligjeve që Ivanov i ka kthyer në Kuvend. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, rikujtoi se sipas Kushtetutës, ligjet që ish-presidenti refuzonte t’i nënshkruaj, pas ri-miratimit të tyre, presidenti aktual është i obliguar t’i verifikojë, por nga deputetët kërkoi që ligjet të miratohen me shumicë të votave.

“Deri më tani e kemi respektuar praktikën që Ligjet që votohen përsëri të votohen me 61 vota “PËR” për shkak se sipas Kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar që të nënshkruaj dekretin edhe pse ish-presidenti nuk e nënshkroi dekretin në përputhje me dispozitat kushtetuese. Deri më tani e kemi respektuar atë që të kemi 61 vota, për shkak se ishte e qartë se ish-president i shtetit nuk i respektonte ligjet që i miratonte Kuvendi”, deklaroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Deputetët pa debat dhe në procedurë të leximit të tretë i votuan ligjet për Këshillin Gjyqësor, për qasje të lirë deri tek informacionet me karakter publik, për mbikëqyrje inspektuese, për subvencionimin e kredisë banesore, për regjistrim të pagesave kesh, për çmime shtetërore etj. Ivanovi nuk ka nënshkruar rreth 30 ligje, mes të cilave tre ligjet reformuese në sferën e gjyqësorit, pasi në to figuronte emri Republika e Maqedonisë së Veriut. Në arsyetimin e tij, thuhej se dekretet nuk i ka nënshkruar sepse gjatë zbatimit të funksionit, ka vepruar në pajtueshmëri me betimin solemne – se do ta mbrojë Kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë.