Miti, feja dhe ligjërimi agresiv

0

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Vepra Thirrja në vesh të shurdhër e autorit, intelektualit dhe profesorit të mirënjohur kosovar Milazim Krasniqi paraqet një përmbledhje tekstesh publicistike, të cilat kanë në fokus një sërë temash të rëndësishme për shoqërinë shqiptare, në përgjithësi, dhe atë kosovare, instrictusensi, në gjendje të krizës shumëpëmasore. Kryesubjekt i eseve është relacioni feja-shoqëria dhe nëntema të shumta, duke filluar nga ateizmi vulgar i së kaluarës dhe pasojat e tij, kriza e identiteteve, diada feja-postmodernizmi, pasioni besimor, interpretimet radikale, gjendja kundërthënëse e kaotike kulturore e shoqërore, islami i perceptuar si “corpusalieni” (trup i huaj), deri te islamofobiadhe integrimi në NATO dhe BE, etj.

Vegla shkrimore e metodologjike të Krasniqit janë sociologjia, në veçanti ajo e religjionit dhe e komunikimit, studimet mediale, historia, filozofia sociale, antropologjia dhe të tjera, përmes të cilave ai zhvillon një qasje hermeneutike të kontekstit në raport me aktorët e skenës kosovare, ballkanike dhe globale. Autori bën një analizë kontekstuale të “jetës në Kosovë”, konstaton pasojat e komunizmit, më të mëdha në moral sesa në (Brzhezhinski) mungesën e “lirisë nga frika” (Ruzvelt), atë të konsumerizmit të pafre, të pasioneve hedoniste, drogës, prostitucionit, parazitizmit, komunikimit me gënjeshtrën dhe mashtrimin, reflekton rreth dhunës mbi vlerat e dikurshme të besës e të mbajtjes së amanetit, zbërthen psikozën“e përshtatshme” për ikjen jashtë. Sipas tij, kozmopolitizmi e ka dëmtuar kulturën kombëtare, servilizmii elitave politike e intelektuale para të huajvee ka shkatërruar edhe atë pak nacionalizëm shqiptar që pati mbijetuar betejën finale për Kosovën. Ai detekton edhe komplotin e europianëve dhe rikujton gjenocidin e sinkronizuar sllav ndaj muslimanëve të Ballkanit nga e shkuara deri më sot.

Shpirti i një homo religiosus-i i ka mundësuar autorit që t’i futet në palcë ligjëratës dhe jetës fetare, ta njohë atë mirëfilli dhe t’i detektojë mangësitë e jetës fetare islame. Ai, si vëzhgues i drejtpërdrejtë, kritikon mitologjizimin e figurave historike të fesë islame (të cilitdo brez qofshin ato), pra është kundër historicizmit legjendaresk, kundër evokimeve fragmentare dhe të ideologjizuara të historisë islame, që nuk e mobilizojnë dëgjuesin e ligjëratave, por – përkundrazi – e largojnë si atë brenda ashtu edhe atë jashtë (andaj edhe libri është titulluar Thirrje në vesh të shurdhër), kjo në kohën e shumësisë së ligjëratave, të panoptikonit, kur thuajse s’ka mbetur gjë e papublicizuar.

Ai shprehet kundër derseve problematike, “të pastrukturuara e të rënies së lirë”, kundër emocionalitetit asgjëthënës, me fjalor vulgar e me arrogancën e frikshme të folësit, kundër të menduarit jokritik dhe infantil, që krijon militantë ideologjish, ishuj mini-komunitetesh të vetizoluara, por jo edhe besimtarë të shekullit XXI, që ndërveprojnë, garojnë me mjedisin dhe botën, madje i sfidojnë ato përmes vlerave. “Besimtari i sotëm mysliman, që jeton në shtete shekullare, duhet të shfaq prirje e interes për t’u integruar në shoqëri, e jo për të dezertuar prej saj, sepse faktikisht nuk ka as ku shkon” – shprehet ai. Ai duhet ta mbrojë fenë me mirësi, me diplomaci, me “fuqinë e butë” (J. Nye). Në këtë drejtim, liria e besimtarit duhet të jetë Brenda vlerave morale, “pa zavalle nga mbikëqyrjet e provokimet keqdashëse”.

Prof. Krasniqi, në kuadër të analizës së vet, gjeneron edhe një term të ri sociologjik, “feja mediale”, në kuptimin që ajo hapësirën kryesore të manifestimit sot e në të ardhmen e ka në medie, në televizione, në portale, në platforma, në bllogje, në rrjete sociale. Ky term është jashtëzakonisht i rëndësishëm në kohën postmoderne kur ndodh rrënimi i kufijve ndërmjet kulturës elitare dhe asaj masive, ndërmjet elitës dhe vulgut, kur mbizotërojnë elemente të kulturës fetare “jashtë logjikës”, siç i quan ai angazhimet xhihadiste shqiptare në Lindjen e Mesme, të cilat janë pasojë e deformimittë interpretimeve që prodhojnë ideologji të krimit dhe terrorizmin. Ai e detekton edhe islamokracinë si shpërdorim të fesë për qëllime si institucionale, në fakt personale e klanore, sektarizmat fetarë brendashqiptarë, të frymëzuar nga sektarizmat arabë, nga “rimongolizimi i Arabisë”, që universalizmin e dikurshëm islam e ka zëvendësuar me një lloj arabizmi arkaik. Krasniqi e kritikon edhe islamin politik si projekt të dështuar, si sfidë të panevojshme, shekullarizmin kosovar që nuk njeh ekuidistancën ndaj feve (Kosova shtet ortodoks), ndërkohë e lavdëron shembullin shqiptar të jetësimit të Islamit, që dëshmon kompatibilitetin e kësaj feje me demokracinë.

Sipas tij, për të pasur një frymim më të natyrshëm islamik ndër shqiptarë duhet që mediet, arsimi publik, vlerat kulturore, ideologjia kombëtare dhe familja të vihen në funksion të ndërgjegjësimit të përgjithshëm objektiv të qytetarëve, në funksion të promovimit të paqes, tolerancës, demokracisë, humanizmit, multikulturalizmit, përkatësisht në funksion të parandalimit të ekstremizmit dhe radikalizmit.

Vepra në fjalë, që gëlon me gjerësi, thellësi dhe interdisiplinaritet, është një prurje e re dhe inspiruese për arkën kulturore dhe mirëvetinë shqiptare dhe më gjerë, në një hapësirë dhe kohë kur vetë teologjia “s’guxon” të bëjë vetëkritikë, kurse islamofobët prodhojnë etiketime dhe interpretime të pabaza ose në ajër, në Ballkanin ku imperializmi kulturor serb është në aksion, në Ballkanin si kazan që zien, si rrobë e prerë dhe qepur pa asnjë masë dhe që duhet të riorganizohet. Krasniqi, krahas dimensionit teoriko-analitik, e ka edhe atë praktik, ofron solucione për shpëtim nga historia kataklizmatike, që po përsëritet dhe nga baltovina sociale shqiptare e kohës.

Ky tekst multidisiplinar në veçanti u sugjerohet njësive akademike të teologjisë dhe të sociologjisë, por edhe gjithë atyre që duan ta shohin “filmin” e “Islamit të europianëve të rinj” me të gjitha ngjyrat e tij!