Mitsotakis: Ne jemi duke diskutuar vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve në spitale

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi se në vjeshtë vaksina për personelin shëndetësor në spitale mund të bëhet e detyrueshme.

Gjatë një interviste për mediat greke ai zbuloi se po diskutonte për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve shëndetësorë nga vjeshta, pasi konstatoi se përqindjet e atyre që kanë marrë dozat anti-covid janë të ulëta, kryesisht të personelit infermieror.

“Unë nuk dua të krijoj tension në spitale për momentin, por ne duhet ta shohim atë nga shtatori” tha ai. Kryeministri u bëri thirrje të moshuarve “unë ju lutem, vaksinohuni” ishte apeli i tij.

Zërat për zgjedhje të parakohshme Kyriakos Mitsotakis i hodhi poshtë. “Pavarësisht dëmit që mund të ekzistojë, pavarësisht problemeve, pavarësisht krizave që na kanë rënë, kjo qeveri gëzon besimin e popullit grek” tha kryeministri, duke theksuar se ai dëshiron të gjykohet në fund të katër viteve.