Mocioni i mosbesimit ende s’procedohet në Kuvend, opozita e pasigurt

0

Në fund të muajit të kaluar, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa mori një nismë për rikthimin e mocionit të mosbesimit në Kuvend.

Për këtë iniciativë, Mustafa ftoi liderët e partive opozitare, ku u takua ndaras me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atë të partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti. Sipas opozitarëve, qytetarët duan qeverisje të re dhe të drejtë, jo një që e zhvat buxhetin e shtetit.

Se kur do të dorëzohet mocioni në Kuvend ende nuk dihet, pasi opozita nuk i ka votat e mjaftueshme. Aktualisht, të njëjtit kanë 56 vota, ndërsa për mocion mosbesimi i nevojiten 61.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu në një prononcim për lajmi.net ka thënë se janë duke punuar rreth kësaj nisme.

“Jemi duke punuar në këtë drejtim, jemi duke biseduar edhe me deputetë të partive të koalicionit kur do të dakordohemi për dërgim të mocionit me subjektet tjera padyshim se do t’i njoftojmë edhe mediat”, ka deklaruar Haxhiu.

Tutje, ajo ka thënë se ende nuk e kanë një datë të caktuar se kur do e bëjnë procedimin e mocionit.

“Jemi duke diskutuar se a ta procedojmë pa u siguruar se i kemi 61 vota apo të presim konfirmimin sa t’i kemi 61 pastaj ta procedojmë”, ka përfunduar Haxhiu.

Nga ana tjetër, partitë e koalicionit qeverisës kanë deklaruar se nuk ja kanë frikën mocionit të opozitës.

Madje, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se partitë opozitare janë të lira të nisin këtë mocion.

Deputetë të opozitës kanë konfirmuar se i kanë 58 vota, ndërsa Milaim Zeka nga partia Socialdemokrate është i vetmi deputet i cili si pjesë e koalicionit qeverisës, ka thënë se do votoj pro mocionit të mosbesimit.