‘Moda’ e re e pushimeve në Shqipërinë e Edi Ramës: Turist në shtëpinë tënde!

0

Temperaturat e larta kanë pushtuar vendin dhe kjo periudhë vere duhej të ishte piku i pushimeve për shqiptarët pas një viti të lodhshëm, për ata që kanë punuar dhe plot depresion për ata që nuk gjejnë dot punë. Por për shumicën e tyre, nuk po ndodh kështu.

Përpara pak ditësh kaloi pa shumë zhurmë, publikimi i një anketë të zhvilluar nga Komisioni Europian mbi Cilësinë e Jetës në vendet e Bashkimit Europian, si dhe vendet kandidate për tu anëtarësuar. Në kapitullin që flitej për pushimet e shqiptarëve, rezultatet ishin përtej çdo imagjinate varfërie. Rreth 81% e shqiptarëve nuk mund të përballojnë dot as një javë pushime, duke qenë edhe në këtë pikë kampion europian. Pamundësia e shqiptarëve për të shkuar me pushime, qoftë edhe njëherë në vit dhe vetëm për 7 ditë është e pakrahasueshme, edhe me fqinjët tanë “të varfër”.

Kështu në Malin e Zi vetëm 66% e të pyeturve janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të përballojnë një javë pushime; në Maqedoni 65%; kurse në Serbi 60%.
Sipas kësaj ankete të KE-së, varfëria në Shqipëri ka arritur deri në atë pikë sa që pushimet vjetore tashmë mund të quhen luks për pakicën. Puna ka shkuar deri aty, sa që individët me të ardhura të ulëta e kanë harruar fare se çdo të thotë koncepti “pushime”. Janë 96% e të anketuarve në Shqipëri që i përkasin nivelit të të ardhurave që konsiderohen më të ulëtat, të cilët deklarojnë se nuk kanë mundësi që të përballojnë një javë pushime, duke mbajtur sërish nivelin rekord në të gjithë Europën. Edhe për individët që i përkasin grupit të dytë të të ardhurave, janë më shumë se 90% që janë përgjigjur se nuk përballojnë dot pushimet.

Ndërsa individët që i përkasin niveli të tretë (nga katër që janë gjithsej) janë përgjigjur se nuk i përballojnë dot një javë pushime në 88% të rasteve. Vetëm të pasurit e mëdhenj, një shtresë fare e vogël në vendin tonë, kanë bërë që të ulet deri në 81% mesatarja e atyre që nuk përballojnë dot as një javë pushime.
Këto janë shifrat e fundit që tregojnë se deri në çfarë pike ka shkuar varfëria për shumicën e popullsisë në Shqipërinë e Edi Ramës, i cili mburret me “miliona turistët e huaj” që vizitojnë Shqipërinë dhe harron të thotë, se vetë banorët e shtetit që drejton prej 6 vitesh janë kthyer në “turistë” brenda shtëpive të tyre.

Pikërisht këtë situatë tragjike dhe të dhimbshme për shumicën e shqiptarëve në këto ditë vere të nxehta, ka pasqyruar në punën e tij të radhës me ironi e sarkazmë mjeshtri i karikaturës politiko-sociale, Bujar Kapexhiu, botuar sot në gazetën Mapo