Monumenti i Pavarësisë bëhet me bazament pas 12 vjetësh

0

Rrethojat me rrjetë të hollë ende e mbajnë të pazbuluar pamjen e re të Monumentit të Pavarësisë, NEWBORN. Nga e hëna, të shtatë shkronjat e tij janë lartësuar për disa centimetra mbi bazamentin ngjyrë hiri.

Në vendin e njëjtë ku ka qëndruar për dymbëdhjetë vjet, obelisku me themelin e ri ngjyrë hiri është theksuar si monument brenda platesë ekzistuese.

Lajmin e ka bërë të ditur pasditen e së hënës vetë ideatori i NEWBORNIT, Fisnik Ismaili.

“NEWBORN po bëhet me bazament”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e tij në “Facebook” teksa ka vënë disa fotografi ku kompania punëkryese përmes kranit ka vendosur të shtatë shkronjat e obeliskut.

Punimet për një bazament të përhershëm të Monumentit të Pavarësisë kanë rinisur vetëm në fund të majit. Ato ishin ndërprerë me vendim të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.