I cilësuar si kryeterrorist, Milan Radoiçiç është i lidhur ngushtë me ngjarjet në veri, e më e rënda mbetet Banjska. Por si u bë një nga figurat më të rëndësishme të veriut duke ushtruar autoritetin përmes aktiviteteve kriminale? Përpos parave nga Serbia ai fitoi tenderë edhe nga buxheti i Kosovës.
Milan Radoiçiç është emri i lidhur ngushtë me aktin terrorist të Banjskës por edhe me çdo veprim që lufton rendin kushtetues dhe cenon sigurinë e Republikës së Kosovës në dekadën e fundit.
Dosja e aktakuzës në rastin e Banjskës i kushton një pjesë të rëndësishme fuqizimit ekonomik dhe politik të Radoiçiç i cili po mblidhte mjete financiare jo vetëm nga Serbia por edhe nga buxheti i Kosovës. Të gjitha paratë janë shfrytëzuar për të blerë armatim të rëndë dhe pajisje të tjera që më vonë edhe i janë konfiskuar.
“Janë provuar faktet të cilat përshkruajnë në mënyrë të saktë, fuqizimin, mënyrën e grumbullimit të mjeteve financiare me qëllim të financimit të terrorizmit e deri tek shpëlarja e parave”.
Deri më 6 tetor të vitit 2023, Radoiçiç ishte nënkryetar i Listës Serbe dhe bashkëpronar me Zvonko e Zarko Veselinoviç në kompaninë ndërtimore “Inkop” në Serbi. Përmes kësaj kompanie, ai ishte bashkëpronar edhe në pesë kompani të tjerë në Serbi e Mal të Zi si dhe hoteli “Grey” në Kapaonik.
13 ditë nga sulmi në Banjskë, Radoiçiç, pasi mori përgjegjësinë për aktin, dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listes Serbe si dhe hoqi dorë nga aksionet në kompaninë “Inkop” të cilat ishin 40% me qëllim të shmangies së pasojave ligjore për bizneset ku ishte bashkëpronar.
Aksionet iu kaluan vëllezërve Veselinoviç, që ashtu sikur Radoiçiç janë të sanksionuar nga Thesari amerikan. Për dy vite kalendarike para ngjarjes së Banjkës, fitimet neto të “Inkop” ishin 30 milionë euro.
Por si u bë Milan Radoiçiç njeriu më i fuqishëm i veriut të Kosovës dhe simbol i krimit?
“Fillimisht i është ofruar fuqizim ekonomik përmes dhënies së tenderëve në Serbi me qëllim të grumbullimit të fondeve në vlera të konsiderueshme, gjegjësisht përkrahje me miliona euro, pastaj i është ofruar përkrahje politike në takimet e nivelit të lartë të strukturave të sigurisë dhe strukturave politike të shtetit serb”, citon A2 dosjen e aktakuzës.
Më pas, Serbia i ofroi të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë.
Grumbullimin e fondeve me qëllim financimin e terrorizimit, Milan Radoiçiç e bëri duke hapur biznese në mënyrë të ligjshme me qëllim të fshehjes së prejardhjes se parave apo maskimit të origjinës së parave.
Gjithashtu, atij iu dhanë pozitat kyçe, ai ishte nënkryetar i Listës Serbe, kryetar i të ashtuquajturës “Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë” në sistemin paralel të Serbisë dhe kryetar i të ashtuquajturës “Klubi Trepça” në sistemin paralel të Serbisë, raporton A2.
Mbështetja që pati nga shteti serb i krijoi një fuqi të madhe në kontrollimin e pjesës së veriut përmes aktivitetit kriminal.
“Gjithë këtë fuqi ekonomike e përdorte i pandehuri Milan Radoićić ndaj qytetarëve të pjesës së veriut të Kosovës, duke vendosur në çdo çështje, duke i detyruar që të kryejnë kontrabandim me mallra, të bllokojnë rrugët, të rebelohen, ngrenë barrikada, dhe në kundërvlerë financoheshin për nevojat elementare apo për mbijetesë. Në raste kur paratë nuk kryenin punë atëherë bënin vendosjen e eksplozivëve, përdorimin e dhunës dhe çdo formë tjetër të detyrimit”, citon A2 dosjen e aktakuzës.
Ironia ishte se përpos mbështetjes nga shteti serb, çdo përkrahje institucionale të ofruar nga buxheti i Kosovës për qytetarët e pjesë së veriut ka përfunduar në duart e Radoiçiç. Ai kishte hapur biznese të cilat shiheshin të ligjshme dhe fitonte tenderët e shtetit të Kosovës.
Sipas dosjes së aktakuzës, Radoiçiç kishte hapur tri biznese në emër të Radule Steviç që ishin “Rad 028”, “Rad Doo” dhe “Radule Stevic B.I”. Këto biznese morën nga buxheti i Kosovës rreth 23 milionë euro për periudhën 2017-2023.
Radoiçiç kishte dy kanale financimi, një nga buxheti i Kosovës dhe një nga buxheti i Serbisë përmes të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi”, gjithmonë përmes tenderëve.
“Forma e parë e financimit duke i keqpërdor tenderët e Kosovës që ishin në vlera më të ulëta, ka ndodhur duke marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, mirëpo pas marrjes së kontratës, projekti nuk zbatohej apo nuk implementohej fare”, thuhet më tej në dosjen e aktakuzës.
“Rad 028”, e regjistruar në sistemin paralel në Serbi, ishte e pa konkurrent në përftimin e tenderëve në të ashtuquajturën “Zyra për Kosovë dhe Metohi”, financuese kryesore e strukturave paralele.
Nga viti 2020 deri në korrik të vitit 2024, “Rad 028” dhe ka fituar 67.5 milionë euro nga 192 kontrata.
Prokuroria ka gjetur se kompanitë të regjistruar me emrin e Radule Steviç nuk kishin kapacitete, as me fuqi punëtore dhe as me makineritë e nevojshme, që të realizonte projektet të cilat i fitonte përmes tenderëve të kurdisur.
“Rezulton se kompanitë e Steviç kishin të punësuar mesatarisht 9-10 punëtorë në kompaninë ‘Rad D.O.O.’ dhe mesatarisht 10-13 punëtorë në kompaninë ‘Radule Stevic B.I.’. Të njëjtit punëtorë janë të deklaruar në të dy bizneset. Disa muaj janë të deklaruar në njërën kompani, kurse në muajt tjerë vijues janë deklaruar në kompaninë tjetër dhe anasjelltas”, vijon më tej dosja e aktakuzës.
Për më tepër, disa projekte të financuara nga Kosova përmes tenderëve dhe disa prej këtyre kontratave të cilat ishin kryer, në kohën e mëvonshme ishin shpallur edhe në sistemin paralel serb të financuar nga Serbia, edhe pse të njëjtat projekte ishin finalizuar nga paratë e buxhetit të Kosovës.
Për të maskuar origjinën e parave, Radoiçiç, përmes këtyre bizneseve, mjetet financiare i ktheu në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
“Duke u mbështetur në prova konkrete, shihet qartë se Milan Radoiçiç përmes Radule Steviç ka arritur që përmes formave të ndryshme të aktivitetit kriminal, të krijojë pasuri të konsiderueshme, duke blerë banesat, ndërtuar vilën, veturat e ndryshme, pagesën e shërbëtorëve të tij, rojeve personale dhe qiratë e paguara për ish-bashkëshorten”, thuhet në dosjen e aktakuzës
Milan Radoiçiç është i dyshuar si i përfshirë edhe në vrasjen e politikanit tjetër serb Oliver Ivanoviç madje pati edhe një urdhër-arrest ndaj tij që u hoq më 2021.
Në janar të vitit 2022, Radoiçiç u shpall sërish në kërkim, kësaj radhe për rastin e njohur si “Brezovica” ku ai dyshohet se ka frikësuar dëshmitarët. (A2)