Veprimtari Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj koalicioneve të fundit të LDK-së, duke i cilësuar ato si “akte ligësie” dhe “tradhti ndaj idealit rugovian”.
Në një postim të gjatë në Facebook, Geci tha se disa figura të LDK-së “po përulen para atyre që i kanë sharë, i kanë quajtur tradhtarë dhe i kanë vrarë bashkëpartiakët e tyre”. Ai përmendi me emër Sami Lushtakun, duke thënë se “ai sot ka në dorë PDK-në, LDK-në dhe Kosovën”.
“Të bësh koalicion me kriminelë e vrasës është përulje dhe poshtërim, dhe pikërisht për këtë LDK-ja është rrëzuar në 11%,” shkruan Geci, duke paralajmëruar se populli “do ta gjykojë çdo akt tradhtie”.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë “të kujdesshëm me votën” dhe “të mos e vrasin Kosovën”.
Reagimi i plotë:
ATA QË TRADHTUAN LIRINË DHE IDEALIN RUGOVIAN
Koalicionet e ligësisë dhe pasojat e tyre për LDK-në dhe popullin
Po të ishin Donika Gërvalla dhe Kurti ata që ua kishte përzhitur baruti bythën, Dada Lume dhe mbështetësit e tij do t’i kishin shkuar me vrap për t’i përqafuar dhe për të bërë koalicionin, ashtu siç po bëjn sot me Sami Lushtakun, i cili sot ka në dorë PDK-në, LDK-në dhe Kosovën.
Kujt lideri, pas ikjes së Rugovës, i ka konvenuar kjo poshtësi?
Të bësh koalicion me kriminelët që kanë vrarë atdhetarët e LDK-së dhe proamerikanët, kësaj i thonë ligësi dhe përulje para atyre që na i vranë, na shanë dhe na quajtën tradhtarë.
Këtë ligësi e bëjnë vetëm të ligët.
Të bësh koalicion me vrasës e kriminelë, të cilët sot dyshohen në Hagë për vrasjen e atdhetarëve të LDK-së, e që nesër mund t’u bashkohen edhe të tjerët për të njëjtat veprime, kësaj i thonë bashkëjetesë në një shtrat me kriminelët.
Këtë ligësi e bëjnë ata që nuk ua ka përvëluar baruti mushkëritë.
Dhe pikërisht për këtë ligësi, e për shumë të tjera si kjo, e kanë rrëzuar LDK-në në 11%.
Historia e LDK-së dhe e Kosovës nuk shkruhet nga ata që zgjedhin rrugën e ligësisë dhe kompromisit me të keqen. Populli do ta gjykojë çdo akt tradhtie dhe çdo aleancë të padrejtë. E vërteta dhe drejtësia, më në fund, gjithmonë dalin në dritë.
KUJDES ME VOTËN ,MOS E VRISNI KOSOVËN.