Sermet Sulejmani
(…se nuk na kanë mbetur më as vezë, as durim!)
Ka një zakon të vjetër në hapësirat tona shqiptare: të kërkojmë qimen në vezë. Të gjejmë ndonjë “gabim” aty ku s’ka as problem, dhe më pas t’i japim edhe ngjyrime kombëtare, ideologjike e madje edhe fetare, sipas qejfit të radhës.
Së fundmi, nëpër rrjete sociale ka plasur një debat banal; si gjithmonë, me sherr dhe për ” një mushkonjë në filxhan kafeje në Tiranë”. Dhe kush del të japë leksione patriotizmi? Disa shkupjanë që e dinë më mirë maqedonishten letrare sesa gjuhën e nënës, por që ndihen më të thirrur se Akademia për të përcaktuar kush është patriot dhe kush jo.
Ej, miqtë e mi të rrjeteve sociale, mësojeni mirë shqipen përpara se ta mbroni me zjarr “pashallëqet tuaja”! Mos e përdorni atë si trofe Facebook-u. Se nuk shpëtohet dhe nuk shkruhet me variante, aq më keq kur atë e shkruajnë “ashkalisht” dhe me urrejtje për një grusht “like”, ku shqiponja dykrenare përdoret si filter, por ndërkohë fjala “komb” shkruhet me “c” të vogël, e në fund, me folklorizëm patetik na qahen sesi i ka keqtrajtuar “nëna Shqipëri”
Jo, Lavdia e Flamurit të UÇK-së nuk matet nëse futet apo jo nëpër stadiume. Flamuri nuk është pankartë tifozerie. Ai është simbol i gjakut të derdhur për bashkim. Adem Jashari dhe të tjerë si ai nuk ranë për të krijuar ndarje të reja mes shqiptarëve, në emër të një “identiteti të veçantë kosovar” apo për të ushqyer folklorizma digjitale me aromë klikimesh.
Unë nuk e kuptoj këtë nevojë për t’u ndarë edhe aty ku jemi një. Po a ka kuptim të ndajmë gjuhën, flamurin, apo identitetin, në një kohë kur vetë bota po bashkohet? Kemi gjuhë të përbashkët, histori të përbashkët, por me sa duket, ca s’i bashkon dot as flamuri.
E fundit: fëmijët e mi i kam pagëzuar Kron dhe Era, emra që flasin shqip pa përkthim. Nuk u kam vënë as Amar, as Albuhar, as Xhihad. Jo për inat, por për dashuri. Dashuri për gjuhën që më rriti, e për identitetin që nuk më është imponuar, por që e kam trashëguar me nder.
Prandaj, boll më me këto ndasi që i nisni për qejf dhe i përfundoni si “kauza” në Facebook.
Mos kërkoni më qime në vezë.
Ka kohë që vezët po thahen, ndërsa ne grindemi për qimen!