Mos shkoni në Kroaci, nga mesnata këto masa rigoroze anti-Kovid

0

Në mesnatë në Kroaci hynë në fuqi masat e reja kundër përhapjes së korona virusit, të cilat, mes tjerash, parashohin mbyllje të klubeve të natës dhe kazinove, si dhe kufizim të tubimeve publike.

Masat e reja u sollën sepse ato të mëparshmet nuk rezultuan me ulje të numrit të personave të infektuar, që është me rëndësi për lehtësim të sistemit spitalor, dhe ato do të zbatohen deri më 15 dhjetor, kumtoi Shtabi nacional për mbrojtje civile.

Masat kanë të bëjnë me kufizimin e ngjarjeve dhe tubimeve publike në 25 persona, në vend të 50 personave, siç ishte deri më tani, kufizim të ceremonive dasmore në 15 në vend të 30 personave, përderisa në funerale mund të marrin pjesë më së shumti 25 persona, në vend të 30, ndërsa ngushëllimet nuk mund të shprehen me kontakt të afërt, thekson agjencia Hina.

Solemnitetet private janë kufizuar në 10 persona, në vend të 15, ndërsa garat sportive mund të mbahen pa shikues dhe me përmbajtje ndaj masave, si edhe deri më tani.

Puna e klubeve të natës, kazinove dhe klubeve të automateve është suspenduar, ndërsa objektet hotelierike do të jenë të hapura deri në orën 22:00, me njoftim të theksuar për numrin më të madh të mysafirëve që mund të jenë në objekt.

Shitoret, gjithashtu, do të duhet të cekin njoftim të këtillë për numrin më të madh të konsumatorëve në hapësirat e tyre.

Janë vendosur kufizime plotësuese për tubime të cilat nuk janë të kufizuar në 25 persona, siç janë programet profesioniste artistike, kino-projeksionet, ceremonitë fetare dhe mbledhjet e trupave kuvendor. Numri i njerëzve të pranishëm është kufizuar sipas madhësisë së hapësirës dhe duhet të sigurohen katër metra katrorë hapësirë për secilin person.

Është vendosur edhe ndalesë për shitje të pijeve alkoolike prej orës 22:00 deri në orën 6:00 në mëngjes.