Opozita në Shqipëri nga orët e mbrëmjes nisi protestën kombëtare në Tiranë me bllokime të pesë zonave si: te rrethrrotullimi Zogu i Zi, Rruga e Elbasanit, Sheshi Willson, te Pallati me Shigjeta dhe Bashkia e Tiranës.
Në secilën nga zonat, protesta po udhëhiqet nga drejtuesit përkatës të kryesive të Partisë Demokratike dhe nga deputetët e saj.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thënë lidhur me këtë protestë se PD ka qenë e qartë që nuk është për dhunën dhe luftë guerile kundër “narko-regjimit dhe diktaturës”, por ka zgjedhur ta kundërshtojë atë me anë të mosbindjes civile.
Nga tentativa e policisë për të hapur qarkullimin janë regjistruar tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se ajo çfarë protestuesit po bëjnë është në të drejtën e tyre. Ai u shpreh më tej se policia nuk ka arsye të ushtrojë dhunë ndaj tyre, pasi ata nuk janë kriminelë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzoi policinë se ka dhunuar gra shtatzëna, të moshuar dhe gazetarët. Ai tha se policia nuk duhet të prekë qytetarët por të shkojë të gjejë autorët e masakrës në Shkodër. Blushi tha se deri në orën 8 do të jenë aty për të protestuar.
Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Blelind Këlliçi është shprehur se sot në protestën e opozitës policia ka përdorur gaz lotsjellës kundër qytetarëve dhe drejtuesve të PD-së. Gjithashtu ai tha se është hedhur gaz lotsjellës edhe kundrejt tij, ndërsa bëri të qartë se qytetarët do vazhdojnë protestën dhe se nuk largohen. Më tej ai tha se nga përplasjet ka protestues të lënduar. Mes të lënduarve sipas tij është edhe kryetarja e degës 9 të PD në Tiranë.