Nëse Qeveria e Serbisë nuk shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri më 28 qershor në mbrëmje, studentët protestues paralajmërojnë masa të forta të mosbindjes civile në mbarë vendin. Ky paralajmërim vjen para protestës së madhe të thirrur në Beograd për ditën e shtunë, duke e vendosur qeverinë nën presion të shtuar.
Studentët kërkojnë gjithashtu largimin e kampit të kundër-protestuesve nga qendra e Beogradit, të cilët prej tre muajsh kanë ngritur tenda dhe e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë”.
Në prag të protestës, autoritetet serbe intensifikojnë presionin. Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, deklaroi se do të vijojnë arrestimet ndaj atyre që, sipas saj, “përgatisin vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë”.
Vetëm një ditë më parë, gjashtë persona u arrestuan, të akuzuar për planifikim të dhunshëm për rrëzimin e qeverisë. “Aksioni për identifikimin e organizatave terroriste do të vazhdojë. Presidenti do të ketë takime me shërbimet e sigurisë për të parandaluar gjakderdhjen që po planifikohet për Vidovdan”, tha Bërnabiq për televizionin “Pink”.
Protesta e 28 qershorit pritet të jetë test kyç për stabilitetin politik të Serbisë dhe për përballjen e saj me një valë të re të pakënaqësive shoqërore.