Motër e vëlla buzë medaljeve në Lojërat Olimpike Tokio 2020

Nora dhe Akil Gjakova, motër e vëlla nga Peja, janë shumë afër ta shkruajnë historinë e sportit kosovar, duke u bërë të parët motër e vëlla që fitojnë medalje olimpike.

Derisa Nora është vetëm një fitore larg arritjes së qëllimit, Akilit do t’i duhet t’i mposhtë dy kundërshtarë radhazi për ta fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Tokio 2020 mëngjesin e sotëm, raporton Gazeta Express.

Blloku final në kategorinë deri në 57 kilogramë te vashat dhe deri në 73 kilogramë të meshkujt fillon në orën 10:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

Nora e ka arritur gjysmëfinalen, ku do të përballet me japonezen Tsukasa Joshida, dhe një fitore e mundshme nënkupton se kosovarja e ka të sigurt të paktën medaljen e argjendtë dhe do të luftonte për të artën.

Vëllai i saj, Akili, e humbi mundësinë për të luftuar për medalje të artë pasi u mposht në çerekfinale nga mongoli Tsogtbaatar Tsend-Ochir dhe si pasojë do të luajë në repesazhin për medaljen e bronztë.

Akili do të përballet me Rustam Orujov nga Azerbajxhani në duelin gjysmëfinale për të bronztën.

Kosova e ka fituar tashmë një medalje në Tokio, me Distria Krasniqin që shkëlqeu duke e rrëmbyer medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë të shtunën.

Në garë për medalje do të jetë edhe Loriana Kuka më 29 korrik në kategorinë deri në 78 kilogramë.