Maqedonia po përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit, ndërsa temperaturat gjatë ditës së sotme pritet të arrijnë deri në 41°C.
Sipas njoftimit të meteorologëve, moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të lehta lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi i veriut, ndërsa pasdite parashikohen kushte për paraqitje të izoluar të motit jostabil.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 20°C, ndërsa maksimalet nga 33 deri në 41°C.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, me erë të lehtë veriore. Temperatura minimale do të jetë rreth 20°C, kurse ajo maksimale do të arrijë 41°C.
Parashikimi për ditët në vijim:
E premte: Moti mbetet shumë i nxehtë. Temperaturat do të jenë mbi 30°C në të gjithë vendin, ndërsa në disa rajone do të kalojnë 40°C.
Indeksi UV do të jetë 9, çka përfaqëson rrezikshmëri të lartë për lëkurën.
Pasdite dhe në mbrëmje: Parashikohen reshje lokale me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe mundësi për stuhi të shoqëruara me erë të fuqishme dhe breshër.
Fundjava: Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga veriu, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie prej 5-7 gradësh krahasuar me ditën e premte.
Kujdes! Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut (11:00 – 17:00), të konsumojnë shumë lëngje dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta.(INA)