“Motivi misterioz” i vrasjes së Liridona Ademajt, flet avokati Musa – ka një thirrje për institucionet e vendit

INA
INA

23/12/2023

Kosova është tronditur së fundi nga disa vrasje, e ajo më e rënda ka qenë e Liridona Ademajt.

Krahas kësaj, iu është bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të reagojnë dhe t’i parandalojnë këto vrasje.

Për vrasjet dhe çështjet e tjera të drejtësisë, në një intervistë për gazetën “Bota sot” foli avokati Skender Musa.

Se pari, Musa vlerësoi se drejtësia në Kosovë është në nivel më të lartë se në vendet e rajonit të Ballkanit, por edhe të Evropës Juglindore
Megjithatë, ai kërkoi reforma dhe plane më të detajuara nga Ministria e Drejtësisë, pasi ka probleme dhe sfida që e pengojnë Kosovën që ta arrijë dhe standardin e vendeve të BE-së.

Krahas kësaj, avokati foli edhe për ndikimet e politikës në drejtësi, derisa u shpreh se “partitë politike në kohën sa qëndrojnë në opozitë kërkojnë që drejtësia të jetë e pavarur, por në momentin që po vijnë në pushtet të gjitha përmes delegimit të njerëzve të tyre, përpiqen që ta marrin drejtësinë në kontroll”.

Ndër të tjera, ai foli edhe mbi motivet dhe vrasjet e shumta që ndodhën së fundi në vendin tonë, me fokus të veçantë mbi rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Musa si e komentoni situatën aktuale në fushën e drejtësisë në Kosovë?
Skender Musa: Drejtësia është mjaft komplekse, pasi varet prej shumë faktorëve. Në çështjet penale varet edhe prej hetimeve, ku janë të kyçur edhe njësitë e policisë, drejtoritë e krimeve, qofshin rajonale apo qendrore, pastaj, prokuroritë edhe gjykatat.

Ajo çka mund të them është se drejtësia në Kosovë është në nivel më të lartë se në vendet e rajonit të Ballkanit, por edhe të Evropës Juglindore, nuk ka hakmarrje për qëllime politike, për qëllime nacionale. Mirëpo, konisderoj se ende nuk e ka arrit nivelin dhe standardin e vendeve të Bashkimit Evropian dhe për këtë duhet punë dhe angazhim më i madh i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, por edhe hallkave tjera shtetërore.

Natyrisht, duhen edhe reforma të caktuara që duhet t’i mundësojë Ministria e Drejtësisë.

Gazeta “Bota sot”: A vlerësoi se po bëhet mjaftueshëm nga qeveria aktuale për ta luftuar krimin dhe korrupsionin?

Skender Musa: Deri tash nuk kam parë ndonjë platformë të qeverisë që ka për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Tash vetëm dihet janë edhe publike edhe sa afera korruptive kanë ndodh, ato janë në proces nga ana e prokurorisë dhe policisë.

Për me luftu krimin dhe korrupsionin duhet të ketë platformë më të qartë Ministria e Punëve të Brendshme dhe koordinim me Ministrinë e Drejtësisë, Policinë, Prokurorinë dhe kjo i mungon Kosovës.

Përafërsisht duhet një platformë e njëjtë siç ka ekzistuar edhe në Rumani, për shkak se shteti rumun ka qenë një vend i zhytur në krim dhe korrupsion, dhe në saje të një zgjedhje të mirë dhe platforme të mirë, ata kanë arrit ta luftojnë dhe ta vendosin deri diku normalitetin. Edhe pse e gjitha është bazuar në punën dhe angazhimin e një ish-kryeprokurori.

Gazeta “Bota sot”: Ndër vite, ndikimi i politikës në sistemin e drejtësisë ka qenë ndër çështjet më problematike. Sipas jush si qëndron Kosova aktualisht sa i përket kësaj çështjeje?

Skender Musa: Po e përcjell e njëjta, vetëm ndërrimin e qeverisë e kemi, ndërkaq mentaliteti sa i përket ambicieve të politikës për me ndiku në drejtësi është e njëjtë, mund të them se shpeshherë paraqitet e rritur. Kjo për shkak se të gjitha partitë politike në kohën sa qëndrojnë në opozitë kërkojnë që drejtësia të jetë e pavarur, por në momentin që po vijnë në pushtet të gjitha përmes delegimit të njerëzve të tyre, përpiqen që ta marrin drejtësinë në kontroll.

Edhe tash shihet përpjekja e madhe e ekzekutivit, partisë së pushtet që ta rrit rolin dhe ndikimin e saj në sistemin e drejtësisë.

Deri tash mund të them se sistemi i drejtësisë ka arrit me rujat njëfarë pavarësie, mirëpo vërehet edhe ndikimi dhe sulmet që bëhen në adresë të gjykatave dhe prokurorive nga ana e ekzekutivit, këto në vendet demokratike nuk duhet të ndodhin dhe mendoj që në vend të presionit, qeveria është dashur të punojë më seriozisht që të ketë reforma, të ketë vetting, i cili do bazohej nga reforma substanciale, sa i përket performancave, njerëzve që mund të jenë të dyshuar për korrupsion, por jo si lloj hakmarrje, siç po shihen shpesh tendencat e qeverisë aktuale.

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, Kosova është tronditur me disa vrasje, e më e rënda ka qenë ajo e Liridona Ademajt. Si komentohet kjo? Çfarë masash duhet ndërmarrin institucionet e vendit për t’i parandaluar vrasjet?

Skender Musa: Sa i përket vrasjeve që kanë ndodh kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë ndaj grave dhe femrave në Kosovë, por edhe vrasjet tjera, nuk mjaftojnë vetëm sanksionet penale.

Pasi, sanksionet penale në Kosovë janë jashtëzakonisht të larta dhe dënimet e shqiptuara për vrasje janë të rënda, nuk janë të lehta.

Mirëpo, duhet të shikohen edhe faktorët sociologjik, duhet të bëhet edhe një fushatë më e madhe nga institucionet e vendit, që të vetëdijësohen qytetarët, për shkak se nga të gjitha veprat penale, vepra më e rëndë dhe më e liga është vrasje, qoftë e femrave, qoftë edhe e meshkujve. Po ashtu, te të gjithë veprat tjera mund të dëmshpërblehet pasoja, mund të evitohen pasojat deri-diku, ndërkaq te vrasja nuk mund të evitohet pasoja, pasi kemi të bëjmë me humbjen e jetës së individit dhe ai pavarësisht dënimeve dhe dëmshpërblimeve njeriu që humb jetën nga kryerja e veprës penale, ai nuk kthehet në jetë.

Fatkeqësisht, është rritur numri i vrasjeve dhe po ndodhin disa vrasje që më herët nuk kanë ndodh në Kosovë, por kanë ndërruar edhe motivet, kanë ndryshuar edhe mënyrat e kryerjes së vrasjes për shkak se në vendin tonë nuk ka pasur vrasje të shumta dinake apo tinëzare, siç ndodhën kohët e fundit.

Me të vërtet ka qenë tronditëse vrasja e Liridona Ademajt, për shkak të mënyrës, organizimit dhe ekzekutimit të saj, me një plan të detajuar. Edhe pse në aspektin penal, juridik dhe kriminalistik, nuk ka qenë një përgatitje profesionale, mirëpo mënyra se si është marrë në shtëpi, është dërguar për darkë, pastaj është përcjell vazhdimisht nga personi që është porosit për ta ekzekutar, aq sa dihet në këtë fazë të procedurës ka qenë jashtëzakonisht dinake dhe tinëzare. Ka qenë vrasje në makinë ku kanë qenë fëmijë, edhe pse fëmijë nuk kanë qenë prezent në momentin e ekzekutimit.

Megjithatë, ka qenë vrasje që e ka trondit Kosovën, dhe këtu duhet pa asnjë dyshim, pavarësisht masave tjera që mund të merren nga institucionet për vetëdijësimin, këto vrasje duhet të ndëshkohen në baza të dispozitave ligjore me dënime kapitale.

Duhet të presim, se çka do të vërtetojë prokuroria dhe policia deri në ngritje të aktakuzave, pastaj çfarë vendimi do të marrë trupi gjykues. Nëse vërtetohen elementet e deritashme që dihen, padyshim që dënimi do të jetë kapital.

Gazeta “Bota sot”: Kur jemi tek rasti i Liridona Ademajt, aktualisht po përflitet shumë arsye mbi “motivin” që mund t’i ketë shtyrë autorët në kryerjen e krimit, madje ka edhe nga ata që thonë se motivi do të mbetet i pazbardhur, si e shihni ju këtë situatë?

Skender Musa: Motivi është element subjektiv i kryerjes së veprës penale, në fakt është vendimi që merr kryesi i veprës penale brenda ndërdijes së tij, pra është element i brendshëm që nuk mund të zbulohet pothuajse në asnjë vepër penale.

Ajo çka është e rëndësishme, dashja është vërtetuar, në vet faktin se kryesi, organizatori i vrasjes, ka shkuar e ka marrë në shtëpinë e babit të saj, pastaj kanë ardhur në një restaurant në Prishtinë kanë ngrënë darkë, kanë shku e kanë vizitu shtëpinë që e kanë ble, e më pas në vendin ku nuk ka pas kamera, nonstop i përcjellë nga personi i porositur për ta ekzekutuar, kjo dëshmon që dashja ka ekzistuar.

Ndërkaq, motivi se çka e ka shtyrë të dyshuarin ta ekzekutojë bashkëshorten e tij, mund të mos zbulohet asnjëherë. Mirëpo, për çështjen penale, është tepër e rëndësishme vërtetimi i fakteve dhe provave, se a ka qenë ish-bashkëshorti organizatori i vrasjes, a ka qenë ai që e ka porosit dhe e ka paguar ekzekutorin, sepse vrasja ka ndodh dhe elementi tjetër që përbënë vepër të rëndë penale është vrasja e anëtarit të familjes, elementi i dinakrisë që lidhet me veprimet tinëzare të tij, element mjaftë lëndues prezenca e fëmijëve në të njëjtën makinë dhe ka mjaft elemente të vrasjes së rëndë, që tashmë janë vërtetuar dhe dihen publikisht.

Ndërkaq për motivet e ndryshme që përflitet, nuk mund të pajtohem që ekzistojnë të gjitha ato motive që po i dëgjojmë nëpër media të ndryshme, pasi motivin se pse ka ndodh deri te vrasja, e di vetëm i dyshuari që e ka përgatit planin për vrasje dhe ai ka mundësi që këtë motiv të mos e tregojë asnjëherë, Shpeshherë ndodh që kryersit e veprave penal edhe nëse pretendojnë që e kanë treguar motivin, mos të jenë të sinqertë.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

thaci-krasniqi-veseli-hage-selimi-specialja

Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

reinhard_butikofer

Eurodeputeti gjerman: Serbia me Vuçiqin, ka zero shanse për BE

vjosa Osmani

Osmani e përfaqëson Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

plaku milaim motel

Nxehet Plaku: O Pleq dinja hallin vetit, mos shkoni në motele mu ba horë e me vdekë aty? (VIDEO)

gresa behluli shkurte fejza

Gresa Behluli del me një njoftim të rëndësishëm pasi babai i saj u godit nga një veturë

policia-kosoves

Raportohet për shpërthim tek ‘Tre Rrokaqiejtë’ në veri, policia jep detaje

arme-antitank

Çka po ndodhë me blerjen e “Javelin”? Deklarohet Ministria e Mbrojtjes dhe lëshon paralajmërimin e fortë

Donika Gervalla

Ministrja Gërvalla flet për sulmin në Banjskë me deputetë austriakë

ambulanca-sk

Vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova, reagimet e organizatave, Avokatit të Popullit e ministrit të Shëndetësisë – por, çfarë thonë nga Spitali i Gjakovës e çka nga SHSKUK-ja?

INFO

NA NDIQ