Pas vrasjes së dyfishtë mbrëmë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, MPB-ja informoi se pesë persona të maskuar kanë qëlluar në drejtim të J.K. (37) dhe E.I. (28), të cilët kanë vdekur në vendngjarje dhe ndaj A.T. (34), i cili është plagosur dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.
“Më datë 06.03.2023 në ora 20:11 në SPB Shkup është raportuar se në një lokal në rrugën “Samoili” në Shkup, pesë persona të veshur me rroba të zeza me armë zjarri dhe maska kanë shtënë në drejtim të J.K. (37) dhe E.I. (28), të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, si dhe A.T.(34) nga Shkupi, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “Shën. Naum Ohridski” për dhënien e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Është njoftuar prokurori publik, i cili ka shkuar në vendngjarje dhe me urdhër të të cilit trupat janë dhënë për obduksion.
Rreth orës 20:30, siç njofton MPB-ja, në rrugën për në Orizarë të Epërme në periferi të Shkupit është djegur një automjet tip Audi A6 dhe sipas udhëzimeve të prokurorit janë zhvilluar biseda zyrtare me disa persona. Autoritetet hetimore thanë se kanë ndërmarrë masat dhe aktivitetet përkatëse për zbardhjen e vrasjes.
“I vrari Jeton Krivanjeva, me nofkën Zhila, ishte shënjestër e një sulmi të ngjashëm tre vite më parë në hotelin “Aleksandar Palace” në Shkup. Ngjashëm si atëherë, edhe mbrëmë sulmuesit ishin të veshur me rroba të zeza dhe maska”, thanë burime policore për “Telma”.
Një tjetër ngjashmëri me incidentin e vitit 2019 është se mbrëmë në lokalin Shisha Bar, sulmuesit bërtisnin “policia” dhe u përpoqën të krijonin përshtypjen se ishte një bastisje e policisë.
Policia në mbrëmë ka bllokuar rrugën “Samoili”, në mes të Çarshisë dhe Kalasë, duke mos lejuar dalje në vendin e ngjarjes.(INA)