Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 100 mijë euro për aktivitete promovuese për kryesimin e vendit me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Për këtë qëllim është lidhur marrëveshje me Shoqërinë për aktivitete menaxhuese dhe këshilluese agjencinë “Rating SP-M” DOOEL për 6.100.000 denarë. Në tender thuhet se shërbimet e komunikimit strategjik janë të nevojshme në pritje të kryesimit të OSBE-së, raporton Sdk.mk.
MPJ shpenzon paratë e qytetarëve për agjenci PR, pavarësisht se Ministria ka shërbimin e saj të marrëdhënieve me publikun, dhe qeveria punëson dhe angazhon njerëz për PR, fotografë dhe incizues.
Sipas Sistemit Elektronik për Prokurim Publik, tenderi është shpallur më 29 shtator 2022, hapja publike e ofertave ka qenë më 1 nëntor, ndërsa vendimi për fituesin e përzgjedhur të tenderit është marrë më 12 dhjetor.
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se mbulimi i një numri të madh të çështjeve që kanë të bëjnë me kryesimin e OSBE-së nënkupton rritjen e ndjeshme të nevojave për komunikim dhe për këtë arsye përmes një procedure transparente tenderimi kanë angazhuar një operator të veçantë ekonomik.
Nga Ministria shtojnë se “sfidë e veçantë e komunikimit është organizimi i ngjarjes më të madhe politike ndërkombëtare që do të mbahet këtë vit në Shkup, e që është Këshilli Ministror i OSBE-së, ku do të jenë 57 ministra të punëve të jashtme të vendeve anëtare”.
Kryesimi i Maqedonisë me OSBE-në nisi më 1 janar do të zgjasë deri në fund të këtij viti. Ministri Bujar Osmani do ta prezantojë programin e Presidencës së Maqedonisë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë më 12 janar.