Veprimtari dhe afaristi i njohur Muharrem Salihu ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me një prej figurave më të shquara të diplomacisë italiane, Umberto Vattani. Ky i fundit ka një karrierë mbi 40-vjeçare në shërbimin diplomatik, ku ka mbajtur poste të larta si ambasador i Italisë në Gjermani, përfaqësues i përhershëm pranë Bashkimit Evropian në Bruksel dhe Strasburg, si dhe është i vetmi që ka shërbyer dy herë si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane.
Vattani është gjithashtu themelues i Iniciativës së Adriatikut – një platformë strategjike për dialog dhe bashkëpunim rajonal, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e partneriteteve mes vendeve të rajonit.
Në fokus të takimit mes Salihut dhe Vattanit ishin zhvillimet në Ballkan, sfidat dhe perspektivat për integrimin evropian, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Takimi u vlerësua si një shkëmbim i thelluar vizionesh dhe përvojash diplomatike, që nxit ndërtimin e urave mes popujve dhe institucioneve – si rruga më e sigurt drejt një të ardhmeje të përbashkët.(INA)