Një pjesë e shoqërive private pensionale nga shtylla e dytë presin që të propozohet dhe të miratohet Ligji për multifondet. Kjo duhet të jetë reforma kryesore e shtyllës së dytë, me ç’rast pensionistëve të ardhshëm do t’u mundësohet fitim më i lartë i pritshëm nga paratë e tyre. Futja e multifondeve nënkupton që të gjithë të siguruarit automatikisht, sipas moshës, do të shpërndahen në tre nënfonde. Të siguruarit deri në 40 vjeç do të futen në të ashtuquajturin fond rritës, nga 40 deri në 55 vjeç në fondin e balancuar, dhe ata mbi 55 vjeç në fondin konservativ. Me këtë duhet të përmirësohet raporti “fitim-rrezik” gjatë gjithë jetës së punës. Ideja është që mjetet nga fondi rritës të investohen në portofol më të rrezikshëm, në fondin e balancuar më pak të rrezikshëm, ndërsa në fondin konservativ investimet të jenë më të kufizuara, me qëllim mbrojtjen e akumulimit para pensionit.
Çfarë janë multifondet dhe pse janë të rëndësishme?
Fondi rritës (deri në 40 vjeç): Investime më të rrezikshme me fitim më të lartë afatgjatë
Fondi i balancuar (40 – 55 vjeç): Stabilitet me rritje të moderuar të fitimit
Fondi konservativ (55+ vjeç): Mbrojtje e akumulimit para pensionit
Kjo qasje e ul rrezikun e rënieve të mëdha menjëherë para pensionimit, ndërkohë që u jep mundësi brezave më të rinj që “koha të punojë për ta” përmes tregjeve të kapitalit. Sipas informacioneve të TV21, Qeveria menjëherë pas zgjedhjeve, në njërën nga seancat e para, do t’i shqyrtojë propozimet e grupeve të punës për reformat e sistemit pensional.
“Informacioni është miratuar në Qeveri në muajin korrik 2025, me disa përfundime, ndër të cilat një është edhe formimi i grupit të punës, i cili është themeluar tashmë më 21 korrik dhe është nënshkruar vendimi për emërimin e anëtarëve në grupin e punës nga institucionet e nominuara. Ky grup tashmë po punon aktivisht në përgatitjen e projektligjit, përkatësisht modelit, ku pikërisht këto multifonde do të jenë pjesë përbërëse e ndryshimeve të ardhshme ligjore”, tha Gjoko Velkovski, tëvendësministër për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Fjalën përfundimtare për ligjet dhe drejtimin e reformave do ta ketë Qeveria.
“Pas dhënies së përfundimeve, përkatësisht nëse ai filtrim në Qeveri kalon, do të pasojë edhe dorëzimi i këtij projektligji, ndryshimi i projektligjit dhe në kuadër të Kuvendit. Pra, po punohet aktivisht dhe shumë palë lidhur me përfshirjen e multifondeve në ndryshimet ligjore janë të gatshme”, shtoi Gjoko Velkovski, tëvendësministër për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Velkovski thotë se vetë sistemi pensional është kompleks, prandaj po tregohet shumë kujdes në hapat që ndërmerren dhe po analizohen të gjitha të dhënat që duhet të përgatiten gjatë këtij periudha. Ai pret që shumë shpejt të ketë një projektligj që do të dorëzohet në Kuvend për miratim.
Ndryshe, sipas përllogaritjeve, pagesa e parë më e madhe nga shtylla e dytë do të fillojë nga janari 2029, ndërsa deri në vitin 2040 numri i pensionistëve që do të marrin pension si nga shtylla e parë ashtu edhe nga e dyta do të arrijë në 112 mijë.