Pas Suedisë, kombëtarja kuqezi ka gjetur edhe një tjetër rival për ndeshjen e dytë miqësore në muajin mars, gjatë ditëve të lira të FIFA-s. Skuadra e teknikut, Sylvinjo do të përballet me Kilin, ndërsa konfirmimi ka ardhur nga vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, menjëherë pas shortit të hedhur në Paris, për Ligën e Kombeve.
“Numri 1” i “qeverisë” së futbollit saktësoi se mbeten vetëm detajet e fundit për të zyrtarizuar këtë ndeshje që pritet të luhet më 21 mars, në stadiumin e Bolonjës në Itali, ndërsa, Federata konfirmoi pak javë më parë miqësoren tjetër për kombëtaren “Kuqezi”, në përgatitjet e saj për finalet e “Euro 2024”, ku në 26 mars, do të përballen me Suedinë në “Friends Arena”, të Stokholmit.
Si Kombëtarja suedeze, ashtu edhe ajo e Kilit janë dy rivalë prestigjozë, duke njohur historinë e tyre në futbollin botëror. Po ashtu, këta kundërshtarë janë zgjedhur duke ditur nivelin e vështirësisë në Grupin B të Euro 2024, ku Shqipëria do të luajë kundër Italisë, Spanjës dhe Kroacisë e në këtë mënyrë, tekniku Sylvinho do të ketë një ide më të qartë për lojtarët që do të marrë me vete në Gjermani për finalet e Kampionatit Evropian.