Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani, përmes Facebookut ka njoftuar opinionin se partia e tij nuk ka propozuar prezantuesen e re televizive për konsull të përgjithshëm në Nju Jork të SHBA-ve, përcjell INA.
“AlternAtivA deri tash as nuk ka biseduar për përfaqësim në diplomaci e as që ka marrë ndonjë përgjegjësi të tillë. Secili lajm a postim që e ndërlidh Alternativën me emërimin e ndonjë diplomati diku është vetëm shpifje dhe nuk ka të bëjë asgjë me Alternativën”, ka nënvizuar Murtezani.
Portalet dje njoftuan se Qeveria me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme miratoi propozimin që Besmira Ejupi të dërgohet si konsull i përgjithshëm i Maqedonisë në Nju Jork. Në biografinë e Ejupit thuhet se ajo ka qenë prezantuese në disa televizione.
Zëdhënësi i Qeverisë Dushko Arsovski theksoi se në seancën e fundit të hapur të Qeverisë nuk ka pasur një pikë të tillë në rendin e ditës, por nuk është përgjigjur në pyetjen nëse një propozim i tillë është konstatuar në seancën e mbyllur të Qeverisë.(INA)