Mustafa Nano: Vetëm Kosova ndan shqiptarët e serbët

0

Analisti Mustafa Nano në fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare të zhvilluar dje në Beograd, me temë “Serbët dhe shqiptarët – Në cilin drejtim?” e vuri theksin tek disa çështje, të cilat sipas tij, kanë marrë ose jo vëmendjen e duhur përcjell Fakte.

Konferenca e organizuar nga agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) kishte në fokus të diskutimeve marrëdhëniet mes dy kombeve, rrethanat historike, politike dhe ndërkombëtare që gjenerojnë këto marrëdhënie sot, si rrugëtimi i dy vendeve drejt BE-së.

“Nuk e prisja që kjo konferencë të fokusohej kaq shumë te Kosova, sepse nëse fokusohemi te Kosova, e dimë të gjithë që Kosova është një zinxhir që na mban këmbët të lidhura, ku nuk ka vend për të diskutuar dhe unë kam qenë më optimist përpara se të fillonte kjo konferencë, sesa jam tani”, e nisi fjalën e tij, Nano, duke vijuar se në fund të takimit shpresonte të rifitonte optimizmin.

Ai nënvizoi se ishin disa gjëra që u thanë gjatë takimit të parë të cilat, nuk i kishin pëlqyer. “Njëra prej tyre ishte, që u theksua më shumë se njëherë, edhe nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili u përpoq të nxjerrë në pah disa ndryshime natyrore midis serbëve dhe shqiptarëve, edhe tjetra në rastin kur u la mënjanë çështja e Kosovës dhe i shpëtuam çështjes së Kosovës për një çast, për të zhvilluar diskutimet”, tha Mustafa Nano.

Sipas tij, këto lloj ndryshimesh midis serbëve dhe shqiptarëve janë ndryshime të cilat mund t’i gjejmë kudo, midis çekëve dhe sllovakëve, francezëve dhe gjermanëve kështu që është e pavlefshme për të theksuar këto lloj ndryshimesh.

“Unë personalisht shoh më shumë të përbashkëta sesa dallime midis serbëve dhe shqiptarëve”, theksoi analisti Nano, duke shtuar se kur vjen në Beograd, ndihet si në shtëpi.

“Serbët dhe bota e tyre më duket shumë e ngjashme me botën time. Asgjë në botë nuk është e ngjashme siç është bota e Shqipërisë me Serbinë. Dhe mendoj se kjo është mënyra se ku duhet të fokusohemi kur bëhet fjalë për shqiptarët dhe serbët”, shtoi ai.

“Ju përmendët programin tim televiziv, që titullohet “Provokacja” dhe unë kam zgjedhur një emër serb sepse doja të përcillja mesazhin se asgjë që i përket botës serbe nuk është e çuditshme për ne, shqiptarët, asgjë nuk është armiqësore për shqiptarët”, tha ai.

“Aktualisht është çështja e Kosovës që na ndan, asgjë tjetër. Ndërsa dallimet e tjera, sikurse thashë, janë normale”, nënvizoi Nano.

“Jam përpjekur të jem kritik ndaj veseve shqiptare, defekteve shqiptare, çështjeve shqiptare. Zoran Panoviq po bën të njëjtën gjë dhe kështu ai po informon opinionin shqiptar me çështjet serbe. Ndërsa unë po bëj të kundërtën, po informoj serbët, po përpiqem t’u tregoj atyre kush janë shqiptarët. Kur vjen çështje tek besimi fetar, ne jemi ballkanas, jemi pak të relaksuar, nuk shqetësohemi aq shumë sikurse ndodh me të tjerë diku tjetër. Kështu unë gjej më shumë të përbashkëta se sa dallime. Kjo është diçka që unë nuk e dëgjoj, nuk dëgjoj persona të tjerë që të thonë të njëjtën gjë dhe nuk e di pse”, theksoi Nano.

Për ta përfunduar, vijoi analisti, “më kujtohet kur fillova këtë bisedë me gazetarin serb, Zoran Panoviçin, disa miq të mitë, të lëmë mënjanë ata që ishin të shokuar dhe thonin si guxon etj., por disa miq të mitë që e konsideronin veten e tyre me mendje të hapur, me thanë se “është mirë që ke vendosur të bësh diçka të tillë, por bëje mirë. Përpiqu ta mbash nën kontroll. Tregoji që ai e ka gabim, tregoji që gjithë serbët e kanë gabim. Përpiqu të tregosh se kauza shqiptare është diçka shumë e shtrenjtë për ne”.

Analisti u pyet se çfarë e bëri optimist para se të fillonte konferenca dhe çfarë mund të bëjnë serbët që të mbetet kështu.

“Ajo që do më bënte më shumë optimist është që të kanalizohet diskutimi në një tjetër drejtim. Të mos fokusohet tek Kosova. E di që ky problem ekziston dhe e di se ky problem duhet të zgjidhet. Por, nëse fokusohemi në këtë çështje, ne do të mbetemi pengje të këtij debati dhe nuk do të bëjmë asgjë tjetër.

Herën e fundit që vizitova Serbinë isha në Preshevë. Pashë atje disa persona që fizikisht ishin aty, në Serbi, por me mendje ata ishin në Tiranë, në Prishtinë. Pra këta persona nuk janë këtu në Serbi. E njëjta gjë mund të thuhet për serbët në Mitrovicë. Njerëzit atje i kanë sytë e kthyer nga Beogradi, atyre nuk u intereson për Prishtinën, apo Kosovën. E njëjta gjë ndodh me minoritetin grek në Shqipëri. Ata gjithë kohën janë të përqëndruar tek Greqia, tek Athina, shkojnë dhe vijnë nga Athina, flasin me politikanët atje dhe klasa jonë politike po i inkurajon me këtë lloji sjelljeje. Ata nuk po bëjnë të kundërtën. Dua që Edi Rama të vijë dhe t’u thotë këtyre njerëzve, dëgjoni ju jeni këtu, jeni pjesë e Serbisë dhe do të jeni këtu gjithë kohën. Pra, bëni më të mirën, integrohuni këtu, në këtë botë. Harojeni Tiranën, domethënë, jeni shqiptarë, flisni shqip, duhet të ruani identitetin tuaj dhe duhet të jeni të informuar se çfarë ndodh në Tiranë dhe Prishtinë. Por, ju jeni këtu, jeni pjesë e botës serbe, jetoni këtu. Këto lloji mesazhi dua nga Edi Rama dhe presidenti Vuçiç dhe politikanë të tjerë në Ballkan. Dua që të shpërndajnë këtë lloji mesazhi. Por nuk i shikoj që ta bëjnë këtë”, përfundoi fjalën e tij analisti Mustafa Nano, në konferencën ndërkombëtare “Serbët dhe shqiptarët – Në cilin drejtim?”, një organizim i agjencisë së lajmeve TANJUG në bashkëpunim me ATSH-në.

Komentet

komentet