Muzetë në Shqipëri nga 18 maji hapen për vizitorët

0

Muzetë në vendin tonë nga 18 maji do të hapen për vizitorët. Pas disa javëve që qëndruan mbyllur për shkak të pandemisë nga Covdi-19, këto institucione janë përgatitur që më 18 maj të hapen për publikun.

Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar zhvilloi një vizitë dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministrja Margariti shkruan në Facebook, se muzetë në të gjithë Shqipërinë do të hapin përsëri dyert në datë 18 maj. Institucionet muzeore në vend janë bërë gati për të hapur dyert më datë 18 maj, ku Muzeu Historik Kombëtar njofton se do të jetë i hapur për vizitorët nga e hëna deri të shtunën.

“Muzetë në të gjithë Shqipërinë do të hapin përsëri dyert në datë 18 maj. Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i hapur për vizitorët nga e hëna deri të shtunën në orarin 10:00 – 16:00 dhe të dielën pushim”, njofton institucioni. Gjatë kësaj kohe që ka qëndruar mbyllur Muzeu Historik Kombëtar ka sjellë herë pas here ekspozita virtuale për publikun, ndërsa nuk kanë munguar dhe publikime të objekteve të ndryshme që janë në mjediset e tij. 18 maji është Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Kjo datë është vendosur që prej vitit 1977 nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve- ICOM, që funksionon pranë UNESCO-s.

Çdo vit Dita Ndërkombëtare e Muzeve përkujtohet me një temë të caktuar. Temat na sjellin në vëmendjen tonë faktin se muzetë janë institucione të gjalla e plot jetë që ndihmojnë të krijohen lidhje mes njerëzve, brezave dhe kulturave nga e gjithë bota. Muzeu është gjithashtu një institucion që ruan dhe tregon të shkuarën tonë; ai është një lidhje mes brezave duke ndihmuar vizitorët të kuptojnë origjinën dhe historinë e tyre. Dita Ndërkombëtare e Muzeve ka filluar të përkujtohet për herë të parë në Shqipëri në vitin 2005. Ministria e Kulturës nëpërmjet rrjetit kombëtar të muzeve të përbërë nga muze historikë, arkeologjikë, etnografikë e tipologjikë të shpërndarë në qytetet e Tiranës, Durrësit, Krujës, Korçës, Beratit, Fierit, Vlorës, Sarandës organizonte aktivitete të ndryshme në varësi të temës së përvitshme të përzgjedhur nga ICOM-International për të përkujtuar këtë ditë.