Muzeu Historik Kombëtar në pritje të vizitorëve pas pauzës prej pesë muajsh

Më i madhi institucion ku mund të shihet historia e shtetit shqiptar, Muzeu Historik Kombëtar ka rihapur dyert pas pesë muajsh. Nga fillimi i kësaj jave të gjithë ata që kanë dëshirë të shohin eksponatet e periudhave të ndryshme, mund t’ia mësyjnë Muzeut që gjendet në zemër të Tiranës. Për rihapjen e tij, të martën ka njoftuar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Bile në rrjete sociale ka shpërndarë edhe çmimoren e biletave dhe ka njoftuar se rezervimi mund të bëhet online për të shmangur pritjet në radhë e edhe kontaktet me njerëz shkaku i pandemisë.

Muzeu ishte mbyllur në pjesën e parë të dhjetorit të vitit të kaluar. Ishte dëmtuar nga protestat e mbajtura në Tiranë e një pjesë e tij është rinovuar.

I hapur në tetor të vitit 1981, hapësira përbëhet nga 27 mijë metra katrorë, prej të cilave 18 mijë janë ambiente ekspozuese. Artefaktet në këtë institucion dëshmojnë për gjendjen ekonomike, sociale e politike, për gjeografinë e Shqipërisë qysh nga mijëvjeçari IV para erës sonë. Janë 5 mijë artefakte që shtrihen në Pavijonin e Lashtësisë, atë të Mesjetës, Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë, Ikonave, dhe atë të Luftës Nacionalçlirimtare. Pas rënies së komunizmit më 1991, shteti shqiptar ka investuar që Muzeu të pasurohet edhe me dy pavijone të reja, atë të terrorit komunist dhe një tjetër për figurën e Nënë Terezës.

Për konceptimin e bazës së Muzeut në fund të viteve ’70, regjimi i atëhershëm kishte emëruar një ekip të përbërë nga Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Aleksandër Meksi e disa të tjerë. Grupi kishte punuar tre vjet që institucioni të ishte i gatshëm për vizitorë.