MYFIT BEJ LIBOHOVA BURRË SHTETI I SHQUAR,DIPLOMAT ATDHETAR

Shkruan: Eugen SHEHU

Familja e shquar e Libohovajve,qëndron plot dinjitet në panteonin e nderit dhe respektit të kombit tonë.Burrat e saj,prej fillimit të shekullit të 15-të,u bënë të njohur në krejt perandorinë,osmane,duke ngritur lart krenarinë shqiptare.Ata,ndonëse zotëruan poste dhe ofiqe të larta në Stambollin e shekullit të kaluar,askurrë nuk harruan se ishin bijtë e shqipes dhe foleja e tyre e parë,ishte Shqipëria.Në radhët e këtyre burrave me vlerë,bën pjesë edhe Myfit bej Libohova.

Lindi në Libohovë,në jugun e bukur të shtetit amë,në vitin 1877.Asaj kohe i jati i tij,Neki Pashaj,ishte në detyrën e mytesarifit të Gjirokastrës.Kur në horizontet shqiptare po nderej besimi në një lëvizje për bashkim,i jati,Nekiu,në kundërshtim me udhëzimet e Stambollit,u vu në shërbim të kësaj lëvizjeje.Shtëpia e tij në Libohovë,u shndrrua në vatër të shqiptarizmës.Krejt atdhetarët e jugut (përfshi sidomos viset e çamërisë) mblidheshin në shtëpinë e madhe të Neki Pashës në Libohovë dhe kuvendonin për idetë e bashkimit të trojeve etnike shqiptare.Në mënyrë të veçantë,ajo shtëpi trimash,u bë strehë për burrin e shquar Abdyl Frashërin,i cili mundi të mobilizojë krejt atë trevë,në të famshmen lidhje Shqiptare të Prizërenit.Myfidi i vogël,do të ndjente në fëmijërinë e tij dhunën e Portës së Lartë,mbi krerët kryesorë të Lidhjes së Prizërenit.Nekiu,i jati u largua nga Gjirokastra dhe u vendos në Janinë,i detyruar të paraqitej në xhandarmëri,sa herë të kërkonin autoritetet vendasi.Këtu,Myfidi merr mësimet e para,për të vazhduar më tej në Stamboll.Falë pasurive të Neki pashës por edhe mbiemrit të shquar Libohova,Myfidi vijon mësimet në universitetin e Stambollit në degën e drejtësisë.Në personalitetin e Myfidit,Porta e Lartë parapa diplomatin e hollë dhe seriozitetin ngulmues,ndaj vetëm pas pak muajve të diplomimit, e dërgojnë si nënpunës perandorak në Legatën turke të Brukselit.Brenda dy vitesh,Myfidi arrin të ngjisë hapat e karrierës diplomatike,duke u emëruar si sekretar i parë i kësaj legate.Me po këto cilësi,në fillim të vitit 1904,dërgohet nga Porta e Lartë,këtu në Bernë të Zvicrës. Myfidi me urtësinë karakteristike,njohjen e disa gjuhëve si dhe talentin diplomatik,dallohet në Bernë midis dhjetra diplomatëve të tjerë.Është kjo arsyeja që dy vjet më vonë,më 1906,me dekret perandorak,Turqit e Rinj i ofrojnë vende në hierarkinë e lartë diplomatike.Myfid beu ndërkaq ka vajtur në Libohovë,pranë të afërmve të tij,të cilët e këshillojnë të vendos kandidaturën në Gjirokastër.I bindur në dashurinë me të cilën populli i Gjirokastrës,rrethonte familjen e nderuar të Libohovajve,Myfidi e vendos kandidaturën dhe në të vërtetë,pas dy javësh,zgjidhet si deputet i Gjirokastrës në parlamentin turk.Që në krye të derës,ky bir i shquar i Libohovës,u dallua për guxim në mbrotje të interesave shqiptare.Ai kundërshtoi ashpër përpjekjet e Turqve të Rinj për të zyrtarizuar alfabetin shqip me germa arabe dhe me përkrahjen e Ismail bej Qemalit,morën në mbrojtje Kongresin e Manastirit.Për më tej,në vitet 1909-1911,ai do të grinte zërin fuqishëm në parllamentin turk,duke denoncuar krimet e ushtrive serbe e turke,në kufijtë veriorë të Shqipërisë,duke cilësuar gjeneralin turk Xhavid Turgut pashën si kriminel,ai u përball me zemërimin e parlamantarëve turq,por me dokumente akuzoi gjenocidin ndaj shqiptarëve të pafajshëm.Ndërkaq,Myfid bej Libohova do të merrte pjesë fshehurazi,në takimet që atdhetarët shqiptarë organizonin në Stamboll.Ai do të ishte kurdoherë në radhët e burrave që kërkonin të bashkonin forcat e mendjes dhe të shpirtit për të realizuar lëvizjen e madhe për autonominë e shqiptare.Shkruan vazhdimisht në revistën “Shqiptaria”, e cila dilte në Stamboll dhe jepte ide të guximshme,jo vetëm për autonominë e vendit të tij,por edhe për një frymë më demokratike në qeverisjen diktatoriale të Stambollit.Funksioni i deputetit i jepte mundësinë të lëvizte shpesh nga Stambolli për në Gjirokastër dhe veçanërisht në vitin 1912,nisi të organizojë atje,me ndihmën e atdhetarëve të tjerë gjirokastritë,lëvizjen për pavarsinë e Shqipërisë.Është i njohur fakti që dhjetra e dhjetra patriotë shqiptarë ndonëse ishin në shkallët e larta të karrierës perandorake,e lanë këtë karrierë për t’u ardhur në ndihmë fateve të atdheut.Mufid bej Libohova,në bashkëpunim të ngushtë me Ismail bej Vlorën.Mid’hat Frashërin dhe Luigj Gurakuqin,pos të tjerave,marrin përsipër të bëjnë me dije Evropën e qytetëruar se populli i tyre ishte ngritur me armë në dorë,për pavarsinë e trojeve etnike shqiptare.Janë dhjetra shkrime të Myfid beut,të botuara në vitin 1912,në gjuhën turqisht,frëngjisht dhe italisht,ku lëvizja autonomiste shqiptare,parashihte si zgjidhje e vetme e egzistencës së kombit tonë.Në nëndorin e vitit 1912,biri i Libohovës,ndërmerr veprime energjike kundër pashait turk në Janinë,i cili mbyllte sytë përpara mizorive sllavo greke.

Nënshkrues i aktit të Pavarsisë

Në ditët historike të Kuvendit të Vlorës,Myfid beu shkon atje,në cilësinë e përfaqsuesit të popullit të Gjirokastrës.Në 4 dhjetor 1912,këta përfaqsues që ngritën flamurin e pavarsisë pas pesëqind vjetëve robërie do të zgjidhnin kabinetin e parë të ministrave shqiptar.Ja çfar shkruhet në shtypin shqiptar të atyre ditëve.”Mbledhja hapet në orën 2 në mesditë,nën kryesinë e Mufid Efendi Vehbiut.Nga 63 kongresarë mungojnë gjashtë vetë zoti kryetar këndon urdhërin e ditës ; 1) të zgjedhurit e ministravet,2) të zgjedhurit e plqsisë. Zotëria e tij Ismail Beu,shtron përpara kuvendit një mënyrë të re për zgjidhjen e ministravet.Fuqinë që kam unë në këtë qështje ja la Kuvendit,thotë zotëria e tij.Kuvendi le të zgjedh tetë veta,jo shtatë siç kishim thënë,që të jenë katër të krishterë,katër myslimanë.I lutet Kuvendit t’ pranojë këtë mënyrë,të mos merret me shum fjalë,por ta mbarojë këtë punë një çast e më shpejtë… Nga zotërinjtë prokllamohen të zgjedhur pesë veta,të parët që kanë një numër votasi më të madh se gjysma,domethënë ata që kanë më shumë se 28.Fitojnë pra në këtë votim zotërinjt ; Myfid beu,Luigj Gurakuqi,Mehmet pashë Deralla,Abdi beu dhe Mid’hat beu…”(Gazeta “ Përlindja e Shqypnis” viti II, nr.9-11 , datë 14 shkurt 1914 ).
Në qeverinë e parë shqiptare,Mufid bej Libohova,zgjidhet ministër i punëve të mbrendshme.Po të kemi parasysh se çfar etapash të rrezikshme kalonte kombi shqiptar në vitin 1913,bindemi me lehtësi për përgjegjsitë e mëdha që binin mbi shpatullat e Myfit beut,megjithkëtë,me humorin dhe guximin e rrallë të tij,biri i Libohovës mundi të ruaj vendin nga trazimet e brendshme dhe të fqinjëve tanë shoven.Ai është organizator i strukturave të para të xhandarmërisë shqiptare,madje në bashkëpunim të ngushtë me Mehmet Pashë Derallën dhe Shevqet Ali Shkupin,përballuan për periudha të tëra sulmet e serbëve në veri dhe ato greke në jug të shtetit amë.Sidoqoftë talenti i tij ishte diplomacia.Në verën e vitit 1913,me porosi direkte të Ismail Qemalit,Myfid bej Libohova shkon në Itali,Austri dhe Francë,ai merr kontakte me diplomat të mëdhenj të këtyre vendeve,duke kërkuar angazhimin europian për çështjet e kufijve shqiptarë,por ndeshet me qëndrimin e ftohtë të kësaj diplomacie.Për më tej,ai vlerson realisht qëndrimin e Ismail bej Vlorës.Në shtypin shqiptar shkruhet tekstualisht ; “Është thënë që me shpalljen e indipendencës shqiptare,Ismail Qemali nuk bëri gjë tjetër,veçse zbatoi urdhërat austroitaliane… Myfid bej Libohova,mbi disa ngjarje ishte larguar i zemëruar nga Plaku,nuk vinte të merrte pjesë në mbledhje të Këshillit Ministrorë,por kur u kthye nga Vjena dhe Roma që kish vajtur,ndryshoi sjelljet e tij dhe në mbledhjen e parë të këshillit erdhi.Atë ditë,para se të fillonin bisedimet,duke iu drejtuar Ismail Qemalit tha ;” Bej Efendi,të më falni,unë kam pandehur se zotërote erdhe në Shqipëri i shtytur dhe i këshilluar nga dy mbretërit mbrojtëse,kurse nashti që isha në Vjenë dhe në Romë,nga goja kompetente dëgjova dhe mora vesh të vërtetën.Pra më epni leje t’ju puth dorën!”Lipset shënuar se Mufid beu kishte një burrëni dhe kot së koti nuk ia ulte kryet kërkujt”.(Gazeta “Bashkimi i Kombit” më 11 gusht 1944 ).

Ruajtja e tërësisë tokësore shqiptare,në vitin 1913,përbën një prej detyrave të shenjta të kabinetit të Ismail Qemalit.Por duhet thënë se këta kufij ishin dhunuar me kohë prej fqinjëve tanë,të cilët me këtë akt të shëmtuar,kërkonin t’i tregonin Europës faktin e kryer.Pikërisht në këtë momente,Myfid beu,me energjinë karakteristike,viret në krye të situatës,duke ndikuar drejtëpërsëdrejti në marrjen e vendimeve luftarake,apo duke udhëhequr inkursione ushtarake kundër vqinjëve që kërkonin coptimin e plotë të trojeve shqiptare.Një varg urdhërash,udhëzimesh dhe porosish,të firmosur prej Myfid bej Libohovës,na bëjnë me dije për privacionet e pafund të detyrës së tij.Në njërin prej këtyre urdhërave,duke iu drejtuar Aqif Pashë Elbasanit,midis të tjerave i shkruan :
“Është e domosdoshme që Dibra dhe krahina e Matit të lidhet me qeverinë e përkohshme sa më shpejt.Bajram beg Curri dhe krerët e tyre ndodhen tani në Mat ku presin udhëzime nga qeveria e përkohshme”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi 71 , dosja 2 , dokumenti 11223 ).
Ndonëse problemet dhe hallet e Shqipërisë,në vitin 1913 ishin pafund,biri i Libohovës, krahas funksionimit si ministër i brendshëm,bënte ç’është e mundur të lidhet me diplomatë evropianë, lidhur me çështjen e kufijve shqiptarë.Ngase pat doktoruar në drejtësi dhe ish shpallur doktor nderi në universitetin e brukselit,me autoritetin që gëzonte,shpalli botërisht në shtypin e kohës se kufijtë shqiptarë nuk duhet të prekeshin,pasi në këtë mënyrë shkeleshin në mënyrë arbitrare,një varg të drejtash themeleore të kombit shqiptar.Ka qenë kjo një ndër arsyet,që organizmi evropian i quajtur Kontrolli Ndërkombëtar i Kufijve,në vjeshtën e vitit 1913,i kërkon qeverisë së Vlorës se “Është i ngutshëm caktimi i Myfid bej Libohovës,si anëtar i këtij organi”(Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. Fondi 71 , dosja 2 , dokumenti nr.11004).Megjhithëse qeveria e Vlorës nuk e miratoi këtë kërkesë,fuqitë e evropës vunë veton,por Myfid beu,u vendos në atë organ si përfaqsues zyrtar i Shqipërisë.Edhe në kët funksion,ndonëse punoi për pak kohë,biri i Libohovës,u shqua për atdhetarinë e pashuar.Diplomatë i një prerjeje të veçantë,ai mbajti qëndrim dinjitoz si ndaj pjestarëve europian të KNK,ashtu edhe përfaqsuesve të tjerë.Me argumente dhe fakte bindëse,ai u përpoq të demonstronte planet serbe për daljen në Adriatik si edhe përrallat greke për Vorioepirin. Por Fuqitë e Mëdha,i kishin bërë me kohë planet e tyre.Shqipëria u coptua dhe prej saj u shkëputën pjesët më të mira,të mëdhenjtë e Europës,kishin paracaktuar në këtë mënyrë,tragjedinë e mbrame shqiptare.
Vendosja e Princ Vidit në Shqipëri,në marsin e vitit 1914,Myfid beu emërohet në detyrën e ministrit të drejtësisë.Dihet tani prej të gjithëve,fati i Princit dhe me largimin e tij nga Shqipëria, Myfid bej Libohova,shkon në Romë,me detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë.Është periudha kur shumë prej patriotëve shqiptarë,të irrituar prej masakrave serbe e greke,i kthyen sytë nga Italia, e cila mund të ndikonte sadopak në egzistencën e kombit shqiptar,janë një sërë traktativash të Myfid beut,në vitet 1914-1918,lidhur me çështjen shqiptare,jo vetëm me diplomacinë italiane por edhe ato austriake e franceze.Në fillim të vitit 1918,qeveria italiane,duke njohur autoritetin që gëzonte në popull biri i Libohovës,i propozon disa funksione,por në të gjitha bisedat,diplomati shqiptar kërkon pavarsinë e çdo administrate shqiptare.E quaj të udhës të sjell në këto radhë,disa shënime të vet Myfid bej Libohovës,lidhur me këto propozime si edhe ngritjen e qeverisë së Durrësit.” Ca kohë pas pushtimit italian,erdhi në Gjirokastër kolonel Castoli e më propozoj kryesinë e administratës së provincës së Gjirokastrës.Në përgjigjen time me falenderjet e çquara,shtova që pranimi im mundej të bëhej kur komanda e pergjithshme italiane të më linte të lirë,të formoja një administratë shqiptare… Pas ca kohësh u ftova edhe prej Ferreros por edhe atij iu përgjigja si kolonel Castoldit,i shtova që populli shqiptar nuk mundej të ishte i kënaqur tjatër lloji,veçse me nji administratë,me një xhandarmëri dhe nji polici thjesht shqiptare”.(Mufid bej Libohova “Politika ime ndë Shqipëri 1916 – 1920 “ Gjirokastër 1921 , faqe 1 ).

Në vjeshtën e vitit 1918,me ftesë të zyrtarëve të lartë të Italisë,nisen për në Romë,Turhan Pasha,Mehmet bej Konica,Dr.Turtulli dhe Myfid beu,asaj kohe për të përligjur pushtimin e vet.Italia kërkonte prej këtyre burrave që të formonin një Këshill Kombëtar,ashtu siç kishte ndodhur edhe në Fiume.Me anë të influencave që do të gëzonte ky Këshill,Roma donte të ulej këmbëkryq në Shqipëri,duke u paraqitur përpara opinjonit evropian si mbrojtëse e vendit përtej Adriatikut.Turhan Pasha u kthye shpejt në Shqipëri për arsye se ishte i moshuar dhe i sëmurë ndërsa Dr.Turtulli u nis për në Zvicër.Në këtë mënyrë,barra e përgjegjsive të mëdha,ra vetëm mbi Myfid bej Libohovën dhe Mehmet bej Konicën.Këta,pas bisedimesh diplomatike prej disa javësh,pranuan të ndikonin në thirrjen e një Këshilli Kombëtar,me atributet e qeverisë së përkohshme,duke kërkuar në të njëjtën kohë disa sigurime nga qeveria italiane.Por kthimi i tyre në Shqipëri solli të papritura.Vetë Myfid beu,në kujtimet e tij shkruan : “Kur pamë në Durrës dëshirën e të mbledhurve shqiptarë për formimin e një qeverie të përkohshme,u bindëm me kënaqësi,pa marrë ndër sy kundërshtimin e fuqisë së armatosur italiane dhe kësisoj u formua qeveria shqiptare në Durrës,më dhjetor 1918.I pari dhe i vetmi qëllim i yni ish përngulisja e një autoriteti në vend,i cili të mund të kishte nede të drejtë,të dërgonte një përfaqsi në mbledhjen e paqës që do të bëhej”.(Myfid Libohova “Politika ime ndë Shqipëri 1916 – 1920 “. Fq.9 ).
Në qevrinë e Durrësit,Myfid bej Libohova zgjidhet sërisht Ministër i Punëve të Jashtme.Qëndrimi i tij në disa raste pro italiane,përputhej edhe me atë të burrave të tjerë të Shqipërisë,të cilët duke iu trembur rrezikut permanent prej Greqisë dhe Jugosllavisë,kërkonin së paku të kishin paqë dhe ndihmë prej fqinjit të përtej Adriatikut.Por gjithashtu nuk duhet harruar se Mufyid bej Libohova,ndonëse i nxitur prej italianëve që të prishte sadopak Kuvendin historik të Lushnjës,jo vetëm nuk bëri një gjë të tillë,por përkundrazi ndihmoi me çtë mundej për këtë kuvend madhorë.Në shkurtin e vitit 1920.Myfid bej Libohova shkon në Paris,i thirrur prej diplomacisë evropiane,aty mëson mbi kufijtë jugorë të shtetit amë,të cilët po rrezikoheshin.Një varg telegramesh e memorandumesh të qeverisë së Athinës,drejtuar fuqive të mëdha,kërkonin të aneksonin krahinat shqiptare të Korçës dhe Gjirokastrës,Delvinës,Përmetit,Kolonjës.Më 20 mars 1920,pas kuvendimesh të zjarrtash, atdhetarët shqiptarë,përfaqsues të këtyre krahinave,i dërgojnë një telegram Turhan Pashës,i cili asaj kohe ndodhej në Paris,për çështjen shqiptare.Në krye të listës është firma e Myfid bej Libohovës, e cila vazhdon më tej me burrat : Mehmet Ali Pasha,Alush Taka,Namik Delvina,Omar Abas,Rauf Fico,Xhelal Dobi,Papa Pano,Polo Meksi,Avni Dabulla, Myfti Lutfiu,Qemal Përmeti,Islam Myftari,Vangjel Tasho,Sulejman Bogdo etj.Më pas në vitet 1921-1924,Myfid bej Libohova,vazhdon të kontribojë sërisht në opinjonin e huaj,në të mirë të çështjes shqiptare.Në fillim të vitit 1924,merr pjesë në disa konferenca me rëndësi,ndërsa diskutoheshin kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe falë maturisë karakteristike,ka bërë që kancelaritë evropiane të përcjellin me respekt fjalën e tij.

Pas ngjarjeve të qershorit 1924, u trishtua së tepërmi Myfid bej Libohovën.Ai u largua nga Tirana për në Libohovë,por edhe aty,si përkrahës i Ahmet Zogut.Madje mundi të shpëtojë mrekullisht prej një atentati.Ndërkaq mbante lidhje të mshehta me Kryeministrin Zog dhe në dhjetorin e vitit 1924,ndërsa Ahmet Zogu përparonte prej Dibre në Tiranë,Myfid beu me përkrahësit e tij u nis nga jugu duke zhvilluar edhe disa luftime sporadike në rrethina të Tiranës.Në qevrinë e formuar në janarin e vitit 1925,Mufid beu zgjidhet Ministër i Punëve të Jashtme.Sërish kontributi i tij në rrafsh të diplomacisë,do të ishte tejet i madh.Ndërkaq në parllamentin shqiptar të vitit 1925,ai ishte zgjedhur deputet i Gjirokastrës,ndaj mendoj të sjell në këto radhë vetëm një pjesë së fjalës së tij në këtë parllament,lidhur me çështjen e Manastirit të Shën Naumit.
“z.Mufid Libohova : Zotërinj ! Siç dini qysh prej vitit 1913,çështja e kufijve midis serbisë më përpara e pastaj Jugosllavisë dhe Shqipërisë ka mbet e mvarur.Në Konferencën e Londrës asht thanë se kufini i Shqipërisë do të arrijë deri në Manastirin e Shën Naumit.Këtë vendim të Konferencës së Londrës e ka protestue serbi duke u bazuar mbi arsye historike fetare.Dy shtete të mëdhanj Italia e Austria,të cilët kanë përkrahur veçanërisht krijimin e nji Shqipnie,me një letër që i kishin drejtuar Konferncës së Londrës kishin pranuar në parim që kufijt e Shqipnisë të ven deri në kufirnin e Shën naumit,por këtë nuk e merrte brenda rrethit 1913.Në 1913 kur u ba kryengritja Austria pat insitue që Serbia të hiqej nga tokat shqiptare,në anët e Drinit e të Pogradecit.Mbi këtë Serbia u hoq nga anët e Pgradecit dhe nuk patë fjalë për Shën Naumin.Me qenëse punërat ishin ngatërue keq midis Shqipnisë që po linte,dhe Serbisë,u dërgue nji komision nderkombëtar për të caktue kufijt.Por edhe ky komision u shërnda.Në 1920 serbët ishin përsëri në anët e Drinit dhe në Shën Naum.Në vitet 1920-1921 u ba luftë midis Serbisë dhe Shqipnisë.Më 1922 ngjajti kryengritja e Mirditës dhe fuqia e qeverisë shqiptare,muer përsëri në administrim Oroshin dhe hyri në anët e Drinit.Atëherë Serbia hyri çiltas në një luftë me Shqipninë dhe ,siç u trashën punërat intervenoi një Mbretëri e madhe.Atëherë Kryeministri i Ingliteres Lloji Xhorxhi iu drejtue,Lidhjes së Kombëve dhe kërkoi ndërhyrjen e saj për t’i dhënë fund gjakderdhjes midis shqiptarëve dhe serbëve.Pas kësaj Lidhja e Kombëve kërkoi që ai kufi që ishte caktue Shqipnisë në 1913,prej Konferencës së Londrës,të zbrazej krejt nga fuqitë serbe.Dhe jo vetëm të zbrazej por serbët të hiqen edhe 20 kilometra më tutje duke u caktue një zonë neutrale midis Shqipnisë e Jugosllavisë”. ( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë.Bisedimet në Kuvendin Kombëtar,16 korrik 1925,faqe 477-478).
Sëmundja e parakohshme do ta dëmtonte rëndë shëndetin e burrit të Libohovës.Myfid beu mbylli sytë në pranverën e vitit 1927,pikërisht atëherë kur i duhej më shumë kombit të vet.Amaneti i tij ishte të varrosej në Libohovë në vendlindjen e shtrenjtë dhe populli i Gjirokastrës,Delvinës, Libohovës,Kolonjës dhe Përmetit e qau sipas zakoneve shqiptare birin e vet të shquar që i fali kombit krejt jetën dhe veprën.
Bern-Zvicër