Toleranca ndaj dallimeve fetare, etnike dhe atyre kulturore e racore dhe gjinore, mbetet një nga shtyllat kryesore të besimit islam, thotë për Radion Evropa e Lirë, myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili.
Ai thekson se respektimi i mendimit ndryshe mbetet një nga parimet themelore të islamit si fe.
“Ata që thirren në emër të fesë, thirren në emër të islamit, kudo që jetojnë, ata për bazë duhet të kenë fjalët e Zotit dhe jo fjalët e njerëzve”.
“Nëse thirremi në fjalët e Zotit, ajetet kuranore, atëherë ne kemi obligim të njihemi mes vete, të respektohemi – e në veçanti në shoqëritë multietnike, multikonfesionale siç është Maqedonia e Veriut – që ne të bisedojmë, po pse jo edhe të debatojmë me njëri-tjetrin me urtësi, me çka do t’i nxjerrim në pah dhe ndajmë së bashku vlerat e përbashkëta që i kemi”, thotë Ismaili.
Sipas tij, fokusi duhet të vendoset te gjërat që i bashkojnë dhe assesi te gjërat që i ndajnë njerëzit.
Ndërkaq, përzgjedhja e fesë thotë se është çështje personale e gjithsecilit.
“Unë do ta respektoj mendimin tënd dhe ti do ta respektosh mendimin tim”, thotë myftiu Ismaili, duke ua uruar festën e Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë.