Natalteti vetëvrasës

0

“Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetëm femra atij që do, e i falë vetëm meshkuj atij që do.Ose ju falë çift, meshkuj e femra,por atë që do e lë pa fëmijë; Ai është i dijshëm, i fuqishëm”(Esh Shura: 49-50)

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Është e çuditshme, për të mos thënë e neveritshme, sa shumë mundë të ndryshojnë shkaravinat e plasuara nëpër internet thelbin e një informate, komenti,analize a hulumtimi të mirëfilltë. Për më keq, materiali i keqpërdorur dhe i keqinterpretuar nga secili që ka mundur t’ia shtojë nga një “tezë”, në fund të ditës shndërohet në temë për analizë të re që thirret në “burime të sigurta”. Dhe përsëri ashtu, deri në pafundësi

Këtyre ditëve lexova një hulumtim të një instituti amerikan që merrej me analizën e trendeve të natalitetit nëpër botë dhe ndikimin që mundë të ketë plakja e popullatës në zvogëlimin e numrit dhe përqindjes së pjesëtarëve të religjioneve të ndryshme në përmasa globale. Hulumtimi ishte tërësisht në rregull, por reagimet dhe interpretimet e tijë i ngjanin një tragjikomedie.Urrejtja e derdhur dhe insistimet morbide për dehumanizimin e muslimanëve duke ua mohuar atyre edhe vetitë njerëzore e duke i shpallur për egërsira, vetëm e vërtetuan faktin se përdorimi i lirshëm i internetit nga budallenjtë mundë të pjellë vetëm budallallëk.

Frika nga tkurja e Maqedonisë

Shkurtë: Hulumtimi i përmendur kishte nxjerrë në pah një konstatim i cili nuk më habiti fare sepse bazohej në fakte. Dhe, ato fakte thoshin se numri i muslimanëve dhe i të krishterëve në botë deri në vitin 2050 do të barazohet, kurse sipas trendeve ekzistuese të natalitetit ,diku nga viti 2100, muslimanët do të jenë më shumë në numër se sa të krishterët. Njëkohësisht, thoshte hulumtimi, numri i pjesëtarëve të religjioneve të tjera do të zvoglohet në mënyrë më drastike.Në mesin e vendeve në të cilat nataliteti po bie duke rrezikuar që në vitin 2050 numri i muslimanëve të bëhet më i madh se ai i ortodoksëve, sipas atij hulumtimi të Institutit “PJU” nga Washingtoni, gjendej edhe Maqedonia.

Kaq mjaftoi që të ndezej alarmi në bashkësinë internetiste dhe fejsbukiste, thua ti se u bë Kijameti,vajtuesit kujdestarë e bënë gjamën, u akuzuan shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe romët si pjesë e proektit të fshehtë xhihadist i cili qenka “ i hartuar shekuj më parë për t’i zënë të pa përgaditur dhe në gjumë të krishterët dhe, mes tjerash, Maqedoninë si djep të krishterizmit t’a shndërrojnë në shtet islamik …”. Ishin edhe të dhembshme por edhe qesharake lamentet sipas të cilave” Maqedonia e paska prekur fundin e vetë, se asnjë kishë nuk do mbetet në Maqedoni kurse ortodoksët do përjetojnë gjenocid në vendin e tyre…”.

Kuptohet nuk munguan as floskulat bajate se” muslimanët , kryesisht shqiptarët si primitivë që janë, gratë i konsiderojnë vetëm si makina për lindje”.Njëkohësisht, vajtuesit e vajtuan kohën dhe ligjin e artë të pushtetit të kaluar që i stimulonte të krishterët përmes ndihmave finansiare të lindin e të krijojnë familje më të mëdha, gjë e cila paska ndikuar që atëbotë nataliteti i të krishterëve të shtohet, shihni çudinë, gadi 0.2 përqind. Të gjithë vajtuesit haruan të tregojnë se për çfarë arsye muslimanët janë primitivë nëse kanë më shumë fëmijë kurse të krishterët që kanë ndonjë fëmi më shumë qenkan joprimitivë?

Zbardhja e Evropës

Të vajtosh për diçka që mundë të ndodhë pas tetëdhjetë vjetësh, mendoj se është qesharake sepse në vitin 2100 kur muslimanët do të dominuakan botën askush nga ne nuk do jetë në këtë botë, bile edhe foshnjet që lindin sot nuk dihet a do e përjetojnë atë kohë. Deri atëherë mundë të ndodhë edhe Kijameti, të panjohura janë për ne vendimet e Zotit.

Ndërkohë, faktet thonë se edhe Maqedonia sikurse e tërë Evropa, me përjashtim të Turqisë dhe shqiptarëve e muslimanëve në tërësi, po zbardhen. Numri i vdekjeve po e tejkalon numrin e lindjeve dhe tërmeti demografik po vazhdon të dridhë me shkallë gjithnjë e më të lartë matëse. Prodhuesit më të njohur të pampersave po heqin dorë nga pampersat për fëmijë dhe fitimet po i kërkojnë te prodhimi i pampersave për pleq duke paralajmëruar kështu plakjen e një civilizimi.

A do të thotë kjo se civilizimi evropian po rrezikon të përbijë vetvehten, i ballafaquar me Islamin dhe muslimanët që do mbisundojnë përmes fesë dhe natalitetit ?

Do kisha thënë se aktualisht po shohim një proces në të cilin kulturat po përzihen dhe po transformohen, po japin e po marrin nga njëra tjetra dhe duke përjashtuar alarmin e trishtimit që e kanë ndezur ideologët e ekstremizmit djathtist, ato po bëjnë përpjekje për të bashkëjetuar mbi bazat e tolerancës dhe dialogut.

Tekefundit, edhe nëse dikur numri i muslimanëve e tejkalon numrin e të krishterëve në botë, unë nuk po shoh ndonjë gjë të keqe sepse plotë pesëmbëdhjetë shekuj muslimanët kanë qenë në botë më të paktë me numër dhe kjo nuk ka bërë që ata të zhduken. Unë personalisht përherë i kam dhënë përparësi kualitetit ndaj sasisë dhe mendoj që muslimanët duhet ardhmërinë e tyre t’a shohin në zhvillimin e vetë kulturor, tekniko teknologjik, shkencor e arsimor, të gjitha këto të sendërtuara e të mbështetura në besimin e paluhatshëm te Zoti.

Sidoqoftë, nga nataliteti vetëvrasës që po i mundon kukuvajkat e internetit, nuk shpëtohet dot as me para, as me dotacione selektive shtetërore, as me kushte prallore,as me urrejtjen ndaj atyre që kanë më shumë fëmijë. Nataliteti rritet vetëm në një mënyrë dhe atë mënyrë e di çdo burrë e çdo grua.