NATO, BE, Ballkani Perëndimor në fokusin e takimit Pendarovski-Scholz në Madrid

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e NATO-s në Madrid, u takua me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilin biseduan për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë në fushën politike, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Ata vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve si miqësore, të mbushura me besim dhe respekt të ndërsjellë.

Pendarovski, siç njoftojnë nga zyra e tij, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe domethënëse nga Gjermania për integrimet evropiane dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Në takim u diskutua edhe për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të pushtimit rus të Ukrainës. Presidenti Pendarovski theksoi qëndrimin e Maqedonisë për agresionin ushtarak rus në Ukrainë, duke rikonfirmuar mbështetjen e fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Të dy diskutuan edhe për procesin e zgjerimit të NATO-s, ku presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut është fuqishëm e përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të Aleancës dhe se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të forcojë më tej sigurinë e Aleancës.(INA)