NATO njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës.
Kujtojmë që në maj, dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën në Zveçan – komunë në veri të Kosovës – pasi u sulmuan nga disa protestues serbë që kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat në veri.
Asokohe, KFOR-i rriti praninë në Kosovë me rreth 700 ushtarë.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.
Ai u shpreh se vendosja e gatishmëris së ushtrisë së Serbisë në brezin kufitar është në vazhdën e lojrave politike që i bën Vuçiqi dhe se ndaj rrezikut do të duhej të marrim veprime të tona shtetërore por edhe koordinim me forcën ushtarake KFOR.
“Eskalimi gjithmonë është permanent në situata të tilla të pas konfliktit një ditor të zhvilluar me 24 shtator 2023. Vendosja e gatishmëris së ushtrisë së Serbisë në brezin kufitar është në vazhdën e lojrave politike që i bën Vuçiqi për të përçuar mesazh politik për politikën e brendshme por edhe në arenën ndërkombëtare. Ndaj rrezikut do të duhej të marrim veprime të tona shtetërore por edhe koordinim me forcën ushtarake KFOR e cila ka mandatin e saj në bazë të rez.1244”, theksoi Shala për Bota Sot.
Më tej, eksperti i sigurisë thekson që propobiliteti është i lartë në shkallën e rrezikshmërisë apo kërcënimit që është prezent në atë pjesë bazuar në disa faktor të rrethanës./BS