NATO në solidaritet me Malin e Zi për kërcënimet nga spiunazhi rus

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur solidaritet me Malin e Zi, në kohën kur ky shtet po ndërmerr masa dhe operacione për të ndaluar ndikimin e Rusisë.

Mali i Zi së fundmi ka arrestuar persona që dyshohet se janë të përfshirë në spiunazh për interesa të Rusisë.

“NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë të vlefshëm, Malin e Zi, në kohën kur ai po ndërmerr masa për të ruajtur sovranitetin dhe demokracinë e tij përballë spiunimit dhe veprimeve të tjera destabilizuese dhe qëllimkeqe të Rusisë”, tha Stoltenberg përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Ballkani Perëndimor është me interes strategjik për Aleancën tonë dhe ne mbetemi vigjilentë”, shtoi shefi i NATO-s.

NATO dhe Bashkimi Evropian disa herë kanë tërhequr vërejtjen për veprimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Sipas këtyre dy institucioneve, Moska synon të destabilizojë këtë rajon. Kjo, sipas burimeve në BE dhe NATO, shpesh është bërë përmes përhapjes së dezinformatave, lajmeve të rreme dhe përmes veprimeve ilegale të spiunazhit.

Mali i Zi, shtet anëtar i NATO-s, në fund të shtatorit ua ndaloi hyrjen dhe qëndrimin në shtet dhjetëra shtetasve të huaj, nën dyshimet se kanë punuar për shërbime të huaja./REL