Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se mirëpret qasjen konstruktive nga Kosova dhe Serbia në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe theksoi se tani është një “rast historik” për të arritur paqe të qëndrueshme.
Këto deklarata ai i bëri pas takimit në Bruksel me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po ashtu shprehu mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve.
“Ne bashkëpunojmë me Bashkimin Evropian dhe mirëpresim takimet në Bruksel në kuadër të dialogut. NATO do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm këtë dialog sepse e shohim si rrugën e vetme të duhur për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Kemi një rast historik për paqe të qëndrueshme dhe mirëpres qasjen konstruktive. Është me rëndësi që të dyja palët të dëshmojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Secila zgjidhje duhet të ketë parasysh të drejtat e njeriut, fqinjësisë së mirë dhe sundimit të ligjit”, tha shefi i NATO-s.