Një lajm tjetër i keq për Hakan Calhanoglu: turku, pasi përjetoi dhimbje muskulore gjatë punës së personalizuar të rikuperimit nga zgjatja e aduktorit të djathtë, iu nënshtrua testeve klinike dhe instrumentale, të cilat nxorën në pah një tendosje të lehtë në shputën e këmbës së djathtë .
Një ndalesë e rëndë që ndërlikon planet e Inzaghit për ndeshjet e ardhshme: ish-lojtari i Milanit rrezikon ta shohë veten në fushë vetëm në ditët e para të shkurtit. Mungesa e Calhas në ndeshjet kundër Bolonjës, Empolit, Sparta Pragës dhe Lecces është thuajse e sigurt.
Shpresa e stafit të zikaltërve është që ta rikthejnë playmakerin turk në sfidën kundër skuadrës së Monacos, ndeshja e fundit e planifikuar për 29 janar në Champions League. Duke vepruar kështu, mesfushori i datëlindjes 1994 mund të nisë disa ditë më vonë në derbin e 2 shkurtit.
Përballë këtij skenari, ka gjasa që shqiptari Kristjan Asllani të gjejë ende hapësirë në dhomën e regjisorit, duke kërkuar besimin pas kritikave të shumta. Gjithsesi, për momentin ai ka suportin e trajnerit Inzaghi, i cili ka shprehur besim ndaj mesfushorit të Kombëtares kuqezi.
Ndërkohë te Interi ka një psherëtimë lehtësimi në lidhje me gjendjen e Henrikh Mkhitaryan. Armeni, i cili humbi ndeshjen ndaj Venezias, pas një problemi të pësuar në stërvitje, kreu teste në klinikën Humanitas në Rozzano, të cilat nuk zbuluan asnjë dëmtim.
Për ish-lojtarin e Romës ka vetëm një zgjatje e lehtë e ngjitësve të kofshës së majtë: situata, siç nënvizohet në njoftimin për shtyp të zikaltërve, do të rivlerësohet dita-ditës.
Me përjashtim të ndonjë ngjarjeje të papritur, mesfushori 35-vjeçar nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e të së mërkurës në mbrëmje kundër Bolonjës.