Ka ndaluar tërësisht tymi që dilte nga depot e ndërtesës që u përfshi nga zjarri mëngjesin e djeshëm. Banesat janë të zbrazura pasi banorët janë evakuuar të gjithë.
“Totalisht është fikur tymi që dilte nga depot dhe magazinat e ndërtesës prapa meje që po shihni e cila dje u përfshi nga flakët rreth orës 02 të natës ndërsa tymi është fikur pas 24 orëve respektivisht sot në ora 4 të mëngjesit. Për ndalimin e tymit kanë marrë pjesë rreth 40 zjarrfikës në tre ndrime të ndryshme. Zjarrfikësit ende janë këtu dhe po punojnë për nxjerrjen e ujit tanimë nga depot ndërsa materialet që më së shumti janë djegur janë pajisje elektrike plastikë dhe kabllo elektrike”, raporton Zekirija Haxhiu – gazetar TV21.
Zëvendës komandanti i brigadës së zjarrfikësve Eroll Ali, tha se ndërtesa kishte hidrante por jo edhe sisteme alarmi në rast zjarri.
“Kemi qenë këtu deri ora 4:30 në mëngjes. Në 4;30 është lokalizuar më zjarri, nuk ka patur as tym as djegie.
Mirë, çfarë është djegur më së shumti?
Më së shumti është djegë kabllo, priza, llustera, plastikë.
Tre ndrime kemi qenë këtu, 24 orë kemi punuar hiç pa ndalë.
Sa zjarrfikës kanë qenë të përfshirë?
Zjarrfikës përafërsisht 40 kemi qenë”, tha Eroll Ali – zv.komandant i Brigadës së zjarrfikësve-Shkup.
E derisa banesat kanë qenë të zbrazura, këtë situatë kanë tentuar ta shfrytëzojnë dy hajdutë. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se janë arrestuar dy persona, në tentativë për të plaçkitur banesat.
“Dy persona sot janë arrestuar për shkak tentimit për vjedhje nga ndërtesa në rrugën “Serava” në Shkup, e ku dje u shkaktua zjarr. Pas dokumentimit të rastit, do të ngritet kallëzim adekuat”, thonë nga MPB.
Televizioni 21 tentoi të kontaktojë me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, për të kërkuar sqarime nëse ndërtesa në fjalë ka çertifikatat e nevojshme se i plotëson kushtet për mbrojtje dhe shpëtim, dhe cilat janë ato, por pa sukses. Nga zjarri dhe tymi gjithsej në spital janë paraqitur 43 persona, prej të cilëve 12 fëmijë dhe një zjarrfikës.