Ndalimi i Koalicioneve/ Loja që Rama të marrë qeverinë pa pasur shumicën

0

Ndryshimi që propozojnë deputetët e opozitës së re të përfaqësuar nga Myslim Murrizi, për juristët ka të bëjë më shumë me nenin 96 të Kushtetutës, i cili flet për mandatimin e koalicionit apo forcës fituese për të krijuar qeverinë. Një lëvizje e cila mund t’i japë një shans kryeministrit për të formuar qeverinë, pavarësisht se mund të mos e sigurojë numrin e nevojshëm prej 71 votash.

Ndalimi me Kushtetutë i koalicioneve i paraqitur në kuvend nga ajo pjesë e opozitës parlamentare që udhëhiqet nga Myslim Murrizi, ka të bëjë më shumë me nenin 96 të Kushtetutës, i cili flet për mandatimin nga Presidenti të forcës apo koalicionit politik për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve.

Një lëvizje që kryeministrit mund t’i japë të drejtën për të formuar qeverinë, edhe nëse nuk arrin numrin e nevojshëm prej 71 mandatesh në zgjedhjet e ardhshme. Juristët shprehen se në Kushtetutë koalicionet përmenden në të paktën dy nene, neni 64 i jep të drejtën partive të dalin së bashku, dhe mandatimi për të krijuar qeverinë nga ana e presidentit e parashikon neni 96:

“Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.

Juristi Ilir Rusmali, thotë se ky nen detyron presidentin t’i japë mandatin asaj force politike apo koalicioni që ka më shumë vende në parlament, pra jo forcës që ka dala e para në zgjedhje por kush siguron më shumë vende në parlament.

“Neni 96 thotë: Emëron kryeministrin me propozim të partisë ose të koalicionit fitues që ka shumicën e vendeve në kuvend, pra jo që ka fituar shumicën, por që ka shumicën. Detyra që ka presidenti i vendit në fillim të legjislaturës është të eksplorojë shumicën parlamentare, dhe mbi bazën e këtij eksplorimi të emërojë kryeministrin që gëzon mbështetjen e kësaj shumice parlamentare. Për sa kohë që ky zakon nuk është solid, atëherë zgjidhja neve do të na vijë te ligji organik i presidentit, që duhet ta përcaktonte këtë procedurë në mënyrë rigoroze”, -thotë Rusmali.

Juristë të tjerë shprehen se nëse kuvendi vendos të heqë koalicionet, atëherë rrezikon të krijojë përplasje me nenin 96 të Kushtetutës, pasi në mënyrën si është shkruar e parashikon bashkimin e partive në zgjedhje, dhe vetëm ndryshimi i nenit të propozuar nga Murrizi shkakton kontradikta në dokumentin themeltar të shtetit.

Deputetët
Ndërkohë duket se opozita parlamentare është e përçarë në qëndrimin e tyre për sa i përket heqjes së koalicioneve parazgjedhore, sipas draftit të propozuar nga pjesa tjetër e përfaqësuar nga Murrizi. Shtatë deputetë të tjerë të përfaqësuar nga Zef Shtjefni, Kujtim Gjuzi, dhe Vasil Serjovski, kanë depozituar një tjetër draft në Kuvendin e Shqipërisë, ku shprehen se nuk janë dakord me ndalimin e koalicioneve dhe rritjen e pragut në 5 % për partitë e vogla.

Dalja kundër e shtatë deputetëve, bie ndesh me deklaratat e nismëtarëve Murrizi apo Stojku se janë të bashkuar në qëndrimin e tyre, por edhe me deklaratat e kryeministrit që thotë se nuk i ka votat për ta kaluar reformën zgjedhore të asistuar dhe me mbështetjen e BE dhe SHBA.

“Ky grup deputetësh nuk është dakord me çfarë kanë parashtruar ata të tjerët, janë dakord me këtë dokument që kemi firmosur ne, që janë mos heqja e koalicioneve, që partitë mos financohen nga buxheti i shtetit, pragu elektoral që për ne është i papranueshëm në masën 5%”, – thotë Zef Shtjefni, i grupit kundërshtues të propozimeve për ndryshimin e Kushtetutës.

Një ditë më parë kundër ndryshimeve doli dhe deputeti tjetër Lefter Maliqi, i cili u shpreh se reforma zgjedhore është e detyrueshme për t’u votuar siç është.

Votat
Por duket se pavarësisht deklaratave të kryeministrit, i cili u shpreh se është në “siklet” me opozitën jashtë dhe brendaparlamentare për të votuar Reformën në Drejtësi, historia parlamentare e “opozitës së re” ka treguar se Rama ka votuar me shumicë votash të gjitha ligjet që i duhen.

Ndryshimet në Kodin Penal, Ligji anti-KÇK, ligji antishpifje, ngritja e komisionit hetimor parlamentar për Presidentin apo dhe ndryshimet në Reformën në Drejtësi kanë pasur në rresht deputetët e opozitës së re, madje dhe ata që sot kanë dalë si flamurtarë për të mos votuar reformën zgjedhore. Aktualisht, mazhoranca së bashku me Reme Lalën dhe Eleni Xhina ka 77 vota në parlament.

Rreth 14 deputetë sipas një vëzhgimi kanë votuar kundër nismave të presidentit, ndryshimeve në buxhet në dhjetorin e kaluar, apo dhe në emërimin e Arben Ahmetajt si ministër i Rindërtimit.

Së bashku me 77 votat e tij, Rama bën gati 101 deputetë më se të mjaftueshme për të miratuar reformën zgjedhore. Për shembull, kundër nismave të qeverisë nuk kanë votuar asnjëherë kundër, janë pesë deputetë. Koçi Tahiri, Ramazan Gjuzi, Selami Jenisheri, Ylli Shehu dhe Klajdi Qama.

Në grupin e Myslim Murrizit, janë vetëm Korab Lita, Rudina Hajdari, Arlind Çaçani, Fajtona Dhimitri, Halil Jakimi, Arben Elezi, Alban Zeneli.