Ndalohet mjekja në Kumanovë nën dyshimin për pranim të ryshfetit dhe shpërdorim të detyrës

Njësia policore për krim ekonomik në Kumanovë ka ndaluar sot mjeken me inicialet E.S në Repartin e Syve në Spitalin e Kumanovës, me dyshimin për pranim ryshfeti dhe shpërdorim detyre, edhe ate pas informacioneve operative paraprakisht, gjegjësisht dyshimit të arsyeshëm për pranimin e ryshfetit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Policia ka ndërhyrë sot me vendim gjykate, ku janë bastisur ambientet e punës në Repartin e syve dhe makina e tipit “Opel Astra”.

Gjatë kontrollit në repart, infermieres i janë konfiskuar 18.000 denarë, dhe gjatë kontrollit të automjetit, në pronësi të mjekes E.S u konfiskuan rreth 98000 denarë. E.S. është ndaluar dhe kundër saj do të ngrihet kallëzim penal përkatës në Prokurorinë Publike në Kumanovë.

Gjegjësisht, E.S. ka abuzuar me pozitën dhe autoritetin e saj zyrtar të dënueshëm sipas nenit 353 dhe ka marrë ryshfete nga pacientët, të dënueshme sipas nenit 357 të Kodit Penal, duke kryer operime në ambientet zyrtare të ISHP Spitali i Përgjithshëm – Kumanovë dhe për ndërhyrjet ilegalisht kanë marrë 12000 denarë, edhe pse pacientët janë të siguruar nëpërmjet Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe për të njëjtën ndërhyrje duhet të paguajnë vetëm bashkëpagesë. Paratë janë marr në të zezë dhe nuk është paguar as sasia e participimit.