Shkruan: Sermet Sulejmani
Misioni i Hashepit për ta zgjidhur problemin “Një baba për një shtëpi” në koalicionin VLEN po shkon drejt dështimit. Këtë e tha vetë Hashep Gazepi, sapo takoi mikun e tij të ngushtë, Ozonin.
— Këta “baballarët” më ftuan përsëri për të ndërmjetësuar, por unë s’kam kohë të merrem me këta pashallarë që e begjendisin veten më shumë se Zotin!
Hashepit i kishte ardhur një haber tjetër, shumë më urgjent sesa bashkimi i katër udhëheqësve të këtyre pashallëqeve shqiptare. Në fakt, përplasjet në koalicion kishin agravuar aq shumë, sa ai s’donte t’i harxhonte kacidhët e fundit të xhepit për një sindrom të njohur shqiptar: “S’bëhen dot bashkë dy shqiptarë në një sofër për iftar!”
Vendosi të shkonte te kafeneja e tij e zakonshme, “Te Sameti”, për të pirë kafen e mëngjesit. Aty vinin e shkonin të gjitha informacionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pa futur as një kafshatë buke në gojë, Hashepi u ul në një tavolinë me pronarin e kafenesë dhe e pyeti rëndom:
— Ç’kemi?
Por papritmas, të gjithë vizitorët e përhershëm – kryesisht opozitarë – e drejtuan shikimin nga ai, buzëvarur, sikur të kishte ndodhur hataja. Njëzëri iu përgjigjën:
— Ka ngjarë gjëma, mik, po… lëre mos e zgjat!
Pasi piu një gllënjkë kafe, pronari i kafenesë, një shok i vjetër, iu afrua:
— S’ke dëgjuar gjë?
— Po, diçka kam dëgjuar…
Këta “katër baballarët” qenkan bërë pikë e pesë. Tjetër gjë nuk di… Prandaj edhe erdha! — iu përgjigj Hashepi, i habitur.
Ndërkohë, Muja, djali i pronarit, murmuriti:
— Në kafenenë tonë s’lejohen më debatet politike!
— Ouu! E përse? Më parë këtu gëlonin lajmet nga të gjitha anët, tani u dashka shikuar lajmet e rrejshme nga televizionet?
— Ka një javë që kemi vendosur që në kafenenë time të mos flitet më për politikë, — ia ktheu pronari me një ton të ulët.
— Po përse flisni me zë kaq të ulët? — e pyeti Hashepi.
Duke u afruar më pranë, pronari i përshpëriti në vesh:
— Eh, miku im, ndërsa ti merreshe me negociatat e tua me VLEN-in, këtu kanë ndodhur shumë gjëra. Bekimi i Aleancës, para dy ditësh, desh u vra me Asdrenin e kafenesë përballë, të partisë BESA. Vetëm për këtë të mallkuar politikë! Lëre më pas… Pas asaj ngjarjeje të shëmtuar, edhe fëmijët e tyre u kapën për flokësh dhe s’kishte njeri që t’i ndante, derisa erdhi policia dhe i zvarriti të gjithë deri në stacion. Që atë ditë, askush nuk guxon më ta përmendë as shkronjën “P”, e lëre më të shqiptojë atë të mallkuar fjalë deri në fund…
— Si?! As lajme në televizor nuk shikoni?
— Shhht!
Më vonë, pasi shumica e klientëve dolën nga kafeneja, pronari iu drejtua Hashepit:
— Si t’ua lejoj debatin politik kur, javën e kaluar, desh m’i thyen të gjitha gotat dhe filxhanët e kafesë? Vetëm e vetëm se një politikan paska thënë që kundërshtari i tij mban unaza të shtrenjta prej sërmi! Një aktivist u nxeh aq shumë, sa mori filxhanin e kafesë dhe ia përplasi në fytyrë! Kurse i qullosuri mori karrigen dhe ia këputi mu në kupë të kresë, sa gjaku i shkoi curil… Po mos të ishin gratë e fshatit, kafenesë sime do t’i kishin mbetur vetëm muret!
— E pas kësaj… çfarë ndodhi? — pyeti Hashepi pa të keq.
— Ah, po! Një javë të tërë e mbylla lokalin dhe ika në Bellanoc. Hëm, të dyja palët më luteshin çdo ditë në telefon që të kthehesha, duke më u betuar se, po t’i hapja dyert, jo vetëm që s’do flisnin më për politikë, por asnjë fjalë që fillon me shkronjën “P” nuk do ta shqiptonin më…
Hashepi vuri buzën në gaz.
— E çfarë ndodhi pastaj?
— Ah, miku im… Saposhkela pragun e derës, para lokalit më prisnin tridhjetë a dyzetë gra nga të dyja palët. Kishin vendosur që, për inat të burrave të tyre të politizuar, të ndërronin partitë!
— Si?!
— Thjesht! Gratë që kishin burra në partinë në pushtet, kaluan në opozitë, dhe e kundërta…
Teksa Hashepi dëgjonte këtë histori absurde, matanë rrugës, te kafeneja e partisë në pushtet, burrat e sytë shqepur po prisnin me ankth ç’po ndodhte me gratë e revoltuara. Kur më në fund morën vesh që bashkëshortet e tyre kishin kaluar në taborin “armik”, ulën kokat dhe ia mbathën. Mori vesh më vonë se për javë të tëra s’kishin fjetur me gratë e tyre. Dhe që nga ajo kohë, miku im, në qytetin tonë mbizotëron paqja…
— E fortë kjo! Po si e zgjidhën problemin e përdorimit të fjalëve që fillojnë me shkronjën “P”?
— Fare thjeshtë… Thjesht e heqin atë shkronjë dhe e shqiptojnë pa të!