Kjo mbrëmje padyshim ka qenë emocionuese për të gjithë shqiptarët e ulur përpara televizorit për të ndjekur intervistën e babait të Martin Canit, Angel Cani. I biri i ndjerë u nda nga jeta të hënën para shkollës Fan Noli teksa u qëllua me thikë, goditje që rezultoi fatale për të.
Në një rrëfim për emisionin “Opinion”, Angel tregoi që djalit tjetër, më të vogël në moshë, nuk i kanë treguar që i vëllai 14-vjeçar nuk jeton më. Madje tregoi se i kanë thënë që është grumbulluar me Kombëtaren, ndaj nuk është në shtëpi.
“Nuk ishim në dijeni që kishte sherr. Ai edhe kur luante futboll, nuk bënte sherr. Ishte lider. Martini deri në klasë të gjashtë ishte me 10-ta. Pastaj vazhdoi sportin dhe e çonim në stërvitje. Martini donte të bëhej si Ronaldo. Unë jam njësh, jam i dashur. Djalit të vogël nuk i kemi treguar. I kemi thënë që e ka marrë Kombëtarja”, tha babai i Angel.
Të pafuqishëm nga vdekja e padrejtë dhe e parakohshme e birit 14 vjeçar, dy prindërit e Martin Canit kanë thyer heshtjen dhe kanë bërë thirrje për paqe. Ata janë shprehur se nuk duan hakmarrje për ngjarjen e kobshme, por të largohen nga Shqipëria.
Ashtu siç është raportuar pas vrasjes së 14 vjeçarit me thikë nga shoku i tij jashtë oborrit të shkollës “Fanë Noli” në Tiranë, familja Cani priste të largohej së shpejti drejt Amerikës.