Ndasitë maqedonase dhe axhamillëqet shqiptare

0

Emin Azemi

Ndasitë brendamaqedonase dhe mosndërtimi i një qasje principiele e shqiptarëve kundrejt kësaj ndasie, është thelbi i krizës aktuale në Maqedoni. Lidhja Social Demokrate bashkë me kryeministrin gabimisht e paskan lexuar situatën në terrenin e tyre social e etnik. Gjithë ato para të derdhura për hulumtimin e opinionit publik, si nuk paskan mundur të detektojnë disponimin e fshatarëve maqedonas, të cilët përgatitjen e ajvarit kanë mundur ta shtyjnë për ndonjë ditë tjetër, e jo bash të dielën kur u mbajt referendumi. Propaganda opozitare, përfshi edhe paradat e fasules, u tregua më efikase se parullat e zbrazëta të pushtetit dhe kundërshtarët e referendumit mbetën ushtarë besnik të kauzës së mosndryshimit të emrit të shtetit. Tani VMRO ka arsye të ndjehet më e faktorizuar në këtë situate turbulente. Në fakt, atë e faktorizoi politika eklektike e Zaevit dhe për rrjedhojë Maqedonia sërish u kthye në vorbullën e përplasjeve pushtet-pozitë, me kauza të vjetra që po shiten si taktika të reja. Hendeku brendamaqedonas, në thelb ka një mospajtim, por në tërësinë e çështjes del që mospajtimi të jetë i degëzuar, ku shqiptarët, gjithsesi, qëndrojnë varur diku me pafuqinë e tyre për të imponuar vetveten si faktor. Pafuqia esenciale e shqiptarëve nuk lidhet gjithaq me kulturën e pamjaftueshme qytetare për të tejkaluar bindjet partizane, sa qëndron në mosgatishmërinë e krijimit të opsioneve me fundament politik e kombëtar, që do të merreshin për bazë në çfarë do lloj negocimi me palën maqedonase. Tash së fundmi, madje po dëgjojmë edhe për lista të përbashkëta, ku votat e shqiptarëve mund t’i ekspozohen edhe një rreziku me pasoja të asimilimit edhe më të theksuar politik të tyre. Sikur shqiptarët të ishin angazhuar më tepër për opcione që do të koncentronin fuqinë politike të tyre, situatën do ta kishim krejt ndryshe. As që do ti shkonte ndërmend dikujt për lista të përbashkët, dhe më së paku do të kujtohej të rekrutojë banditë shqiptarë, për të luajtur rolin e pykave e kallauzëve, si instrumente që e bën më të sofistikuar ndërhyrjen brutale në trupin elektoral të shqiptarëve. Maqedonia edhe kështu siç është nuk ka nevojë për ndonjë ndërhyrje nga jashtë, për të qenë e paaftë në rrugëtimin e saj euro-atlantik. Me mosondryshimin e emrit, bojkotuesit e emrit deshën të na tregojnë se ky rrugëtim mund edhe të shtyhet për “ditë më të mira”, atëherë kur Brukseli do të lodhet me thirrjet e veta, që ngandonjëherë dalin të jenë tepër të flashkëta. Burokracia i BE-së e mori me sportivitet piknikët parareferendumiane të Zaevit dhe u tregua naive kur mendoi se në këtë pjesë të Ballkanit mangupët e vegjël të politikës e paskan kaluar me sukses kursin e pjekurisë eurointegruese. Asnjë kurs nuk përvetësohet plotësisht nëse paraprakisht nuk kalon testin e provës. Maqedonisë i duhet edhe një semestër leksionesh që të dijë të ndajë patriotizmin rural maqedonas nga aspirate e pastër europiane. Shqiptarët mund edhe të mos e ndjekin këtë semestër, por kjo nuk nënkupton neglizhimin e faktorëve që i bën ata më të konsoliduar politiksht.(koha.mk)