shkruan: Bardhyl Mahmuti
Pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, qeveria e re e Beogradit vazhdoi me të njëjtën propagandë. Në nëntor të vitit 2001, u botua dhe u shpërnda varianti i ri i propagandës së vjetër: “Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji (Ubijena, oteta i nestala lica, januar 1998 – novembar 2001” [“Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin (personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998-nëntor 2001)].
Sipas pohimeve publike të Vladimir Božović-it (Bozhoviq), funksionar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Drejtorisë për Jurisprudencë në Qendrën Koordinuese të udhëhequr nga Nebojša Čović (Nebojsha Çoviq), “drejtoria e tij me ekipin e ekspertëve kishin punuar që nga vitit 2001 e deri në vitin 2002 për të përgatitur materialet për trafikimin me organet e njerëzve në Kosovë.”. “Materialet e përmbledhura u sistematizuan në disketa me 27 mijë faqe për krimet e komandantëve të UÇK-së dhe iu dorëzuan hetuesve të Hagës” dhe “Clint Williamson-it, i cili ishte shef i Departamentit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut të UNMIK-ut në periudhën 2001-2002, ndërkaq në periudhën 1994-2001 ka punuar si prokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi. ”.
Në bazë të dosjeve të para të dorëzuara gjatë periudhës 2001-2002, Carla Del Ponte ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliut.
Në variantin e parë të aktakuzës, të datës 24 janar 2003, dhe në variantin e dytë të aktakuzës, të datës 7 mars 2003, kemi zbatimin e teknikës Copy/Past të “dëshmive” të dorëzuara nga njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë së mbetur. Mirëpo, në shtator të vitit 2003, regjimi i “ri” në Beograd botoi një variant të ri të “librit të bardhë”, të ndryshuar në përputhje me ndryshimin e rrethanave në skenën politike ndërkombëtare. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Kuvendin e Serbisë, kryeministri i Serbisë, Zoran Živković (Zhivkoviq), zëvendëskryeministri dhe shefi i të ashtuquajturës “Qendra Koordinuese për Serbinë Jugore dhe Kosovë dhe Dukagjin…”, Nebojša Čović (Nebojsha Çoviq) dhe shefi i Shërbimit Sekret Serb, Miša Milićević (Misha Milliqeviq) prezantuan librin e titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin).
Pas elozheve që bëri për punën e Shërbimit Sekret të Serbisë, kryeministri serb deklaroi:
“Qëllimi i publikimit të këtij libri është t’u ndihmohet atyre që duhet të veprojnë kundër kriminalitetit të organizuar, para se gjithash UNMIK-ut dhe KFOR-it (…). Është përfolur se gjoja nuk ka prova të mjaftueshme për të ndërmarrë veprime të tilla, se u mungojnë faktet konkrete e kështu me radhë. Libri ‘Terrorizmi shqiptar dhe kriminaliteti i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin’ ofron mjaft sqarime dhe fakte për krimet e kryera në Kosovë dhe Dukagjin. Ky libër përmban shumë të dhëna për strukturën e organizimit terrorist të ekstremizmit shqiptar, për viktimat, për veprimtarinë e mafies shqiptare në botë; për identitetin e terroristëve dhe strukturave të organizuara kriminale në Kosovë; për liderët politikë të Kosovës që ishin në të njëjtën kohë edhe udhëheqës të klaneve kriminale; për trafikimin e organeve njerëzore të serbëve të burgosur dhe mjaft sqarime dhe fakte për krimet e kryera në Kosovë, të cilat mund të jenë mjaft interesante edhe për punën e Gjykatës në Hagë.”.
Përveç ndërlidhjes së UÇK-në me “terrorizmin” dhe “fondamentalizmin islamik”, në botimin e vitit 2003, Serbia përpiqet t’i kriminalizojë, si asnjëherë më parë, aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Në gjuhën e agjentëve të Shërbimit Sekret të Serbisë “zhvillimi i ndjenjës së identitetit kolektiv të shqiptarëve, sidomos të atyre nga Kosova dhe Dukagjini, është kusht i domosdoshëm për t’u marrë me kriminalitet të organizuar. Pikërisht ky element, që bazohet në përkatësinë në një grup të caktuar, ka ndërlidhur kriminalitetin e organizuar shqiptar me idealet politike, ushtarake dhe me terrorizmin (…) Prapa motiveve ideologjike dhe kombëtare për krijimin e një shteti të vetëm shqiptar, pavarësisht nëse do të quhet ‘Shqipëria e Madhe’ ose ‘Kosova e Madhe’, fshihen interesat e disa strukturave kriminale, që përpiqen të bëhen pjesë e proceseve ekzistuese politike dhe ekonomike për të legalizuar punët e tyre kriminale (…).
Pasi ua atrubuan shqiptarëve kontrollin botëror të tregtisë me lëndë narkotik, të prostitucionit ndërkombëtar, të tregtinë ilegale të armëve, të cigareve dhe të mallrave të tjera akcizë, të automobilëve të vjedhur, të trafikimin me njerëz dhe shitjen e organeve njerëzore (…), agjentët e Shërbimit Sekret të Serbisë vijnë te konkluzioni se “shoqëria kosovare nuk është shoqëri e prekur nga kriminaliteti i organizuar, por shoqëri që bazohet te kriminaliteti i organizuar!”.
Në përputhje të plotë me “të dhënat” që kishte nxjerrë nga libri propagandistik serb “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin”, ku UÇK-ja cilësohet në mbi 100 herë si “organizatë që ka projekt kriminal”, Carla Del Ponte ndryshoi edhe variantin e dytë të aktakuzës dhe në variantin e ndryshuar, me dhjetëra herë UÇK-në e cilësoi si “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët” që gjoja “ka kryer sulme të përgjithshme dhe sistematike të drejtuara kundër popullsisë civile serbe dhe shqiptarëve që dyshoheshin si bashkëpunëtorë ndaj të cilëve ka zbatuar tortura, trajtime mizore, vrasje…”.
Në të njëjtën frymë si ajo që mbizotëronte në aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe e mbështetur në sajesat e materiale të dorëzuara nga përfaqësuesit e Serbisë, më 4 mars 2005, Carla Del Ponte ngriti aktakuzë kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt.
Që në variantin e parë të kësaj aktakuzë dhe në katër variantet e ndryshuara të aktakuzës, Carla Del Ponte zbato teknikën e njëjtë Copy/Past të “dëshmive” të sajuara nga Shërbimi Sekret Serb dhe të cilësimeve të UÇK-së si “Ndërmarrje Kriminale ePërbashkët”.
E njëjta gjë ndodhiu edhe me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Një muaj përpara se të bëhej konfirmimi i aktakuzës dhe të arrestoheshin Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, Milovan Drecun ishte mysafir në emisionin e titulluar “ Fillon ‘udhëtimi’ njëdrejtimësh nga Prishtina për në Hagë”, në TV Happy, I kujtoj lexuesit se Milovan Drecun është kriminel serb ndaj të cilit Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padi në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë. Pikërisht ky “gazetar” i Radio Televizionit të Serbisë, i dekoruar nga komandanti i Armatës së Tretë të Jugosllavisë, që kreu krimet në Kosovë, gjeneralkoloneli Nebojša Pavković, u vu në krye të Grupit Punues serb që përgatiti provat për Zyrën e Prokurit Special të Kosovës.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët e TH Happy-t, Milovan Drecun në emër të Grupit Punues të Serbisë flet me mospërfillje për ekipin e prokurorëve që punonin me kryeprokurorin Swendiman, të cilët nuk i njihnin rrethanat ku kishin ndodhur ngjarjet, nuk dinin në çfarë drejtimi t’i zhvillonin hetimet dhe se Grupi punues i Serbisë “ka kontribuuar shumë që t’u japin drejtimin e duhur. Për mua ka qenë thelbësore t’u tregoj prokurorëve në çfarë drejtimi t’i zhvillojnë hetimet, sepse i pashë që ishin duke u sorollatur, sepse e kishin kapur problemin shumë gjerë”.
Ai tregon se i ka orientur drejt çështjes së Qendrave Ilegale të Ndalimit, sepse “ka qenë më e lehtë për ta që të dëshmojnë krimet nëpërmjet këtyre qendrave ilegale. Ne u kemi dhënë:
Imagjinoni në çfarë situate paradoksale kemi ardhur: krimineli Milovan Drecun, që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në nxitjen e krimeve ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj të cilit Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë kishte dorëzuar padi, i ka përcaktuar Zyrës së Prokurit Special të Kosovës se në çfarë drejtimi duhet t’i zhvillojë hetimet!
Dhe për punën që ka bërë, Milovan Drecun deklaron: “qysh në fazën e parë unë kam marrë mirënjohje nga kryeprokurori Swendiman. Madje mirënjohja është shkruar me dorë, që është e pazakonshme, sepse po shihet se u kemi ndihmuar shumë të shohin në çfarë drejtimi duhet të zhvillojnë hetimet”.
Prandaj nuk bëhet fjalë për hipoteza, por vërtetësinë e faktit se aktakuza është ndërtuar mbi sajesat e shërbimeve sekrete serbe e pohon publikisht njeriu të cilit kryeprokurori Swendiman i ka dhënë mirënjohje!
Aktakuza kundër Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit hoqi të gjitha iluzionet e propagandës së rrejshme se gjoja do të krijohet një gjykatë për të “pastruar historinë e luftës së UÇK-së nga dyshimet për krime dhe transplantim organesh, akuza që qëndronin mbi Kosovë si re të zeza, ose si litar rreth fytit për shumë vjet”. Të gjithë ata që kanë pasur mundësi të lexojnë pjesë publike të aktakuzës në fjalë e kanë kuptuar mashtrimin: Jo vetëm që nuk u hoqën as retë e zeza dhe as litari që i varën fytit të Kosovës, por Zyra e Prokurorit Special të Kosovës ngriti trekëmbëshin – aktakuzë dhe i vuri litarin rreth fytit luftës çlirimtare të popullit shqiptar dhe aspiratave për ndërtimin e shtetit të pavarur. Me një fjalë: aktakuza përpiqet të dënojë me vdekje luftën çlirimtare të Kosovës.
Të gjithë atyre që dëshirojnë të vërtetojnë saktësinë e mendimit të lartpërmendur, u sugjeroj të lexojnë aktakuzën (atë pjesë që është publike) dhe të binden për ndikimin e Sajesave të Shërbimit Sekret të Serbisë në cilësimin e UÇK-së dhe interpretime tendencioze të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Në këtë kontekst e shohim të udhës të sqarojmë për lexuesit tri kategori çelës të kësaj aktakuze: “anëtarët e Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët”, “instrumentet e Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” dhe “kundërshtarët”.
Në kategorinë “anëtarët e Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” përfshihen pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarë të Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës (QPK):
“Hashim Thaç, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Kasniqi, Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi, Sabit Geci si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK– së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; dhe ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së. Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuuan në arritjen e qëllimit të përbashkët” (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Numri i çështjes: KSC-BC-2020-06, Shtojca 5 e parashtrimit të Aktakuzës së ndryshuar dhe dokumenteve lidhur me të § 33-35).
Në kategorinë “instrumentet e Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” përfshihen ata persona që nuk ishin pjesë e “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” por që “u përdorën nga anëtarë të Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët” (Po aty, § 35).
Ndërsa kuadër të kategorisë “kundërshtarët” përfshihen personat që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë:
Me qëllimin që të siguronin dhe ushtronin kontroll mbi tërë territorin e Kosovë, anëtarët dhe instrumentet e Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët kanë kryen sulme në përmasa të gjera ose sistematike kundër popullatës civile tëkundërshtarëve në Kosovë dhe në zona të Shqipërisë Veriore, së paku që prej marsit 1998 deri në shtator 1999 ( ‘periudha e aktakuzës’)” (Po aty, § 16-17 dhe 32), duke i përndjekur, burgosur, arrestuar dhe ndaluar arbitrarisht ose në mënyrë të paligjshme dhe duke zbatuar akte të tjera çnjerëzore, trajtime mizore, tortura, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave. (Po aty, § 32).
Sipas aktakuzës Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës janë “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët” dhe jo vetëm që nuk përjashtohet nga ky kualifikim asnjë ushtar i UÇK-së apo zyrtar i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, por spektri i të dyshuarve shtrihet edhe te njerëz që nuk kanë qenë të përfshirë në UÇK dhe QPK por që kanë shërbyer si instrument për realizimin e qëllimeve të “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët”!
Çdo njeri që lexon me vëmendje aktakuzën, do të bindet se kemi të bëjmë me përpjekje për të dënuar luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. Mjerë ata shqiptarë që për shkak të urrejtjes personale që kanë ndaj ndonjërit nga të akuzuarit e lartpërmendur, janë duke përhapur sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë dhe, me vetëdije apo pa vetëdije, janë shndërruar në instrumenet të këtij shërbimi.
(Për këtë çështje mund të lexoni më hollësiasht në librin “UÇK-Në shënjestër të vazhdueshme”, që do të botohet së shpejti).