Ndëroi jetë Zef Kaçinari i “Këngës së Zagrebit

Ka vdekur Zef Kaçinari, që kishte kryer vrasjen e vitit 1965 në Zagreb, prej nga ku rodhi edhe “Kënga e Zagrebit”, ka njoftuar familja e tij. Ka qenë gazetari Enver Robelli, që ka bërë të ditur lajmin, teksa ka kthyer në vëmendje një shkrim të para më shumë se një dekade për historinë dhe rrëfimin e vetë Kaçinarit.

“Nga Zagrebi bëhet e ditur se ka ndërruar jetë Zef Kaçinari. Po, Zefi i këngës së Zagrebit. Në vijim po e postoj një shkrim për krejt historinë e Zef Kaçinarit. Teksti është botuar para më shumë se një dekade te “Koha Ditore”. Ky shkrim synon të përshkruajë një tragjedi që ndodhi në Zagreb si dhe rrethanat që i paraprinë asaj, pastaj jetën në burg dhe pas burgut të Zef Kaçinarit. Historia e kësaj vrasjeje siç paraqitet në këngë është vetëm një episod i paplotë. Andaj një ditë në Zagreb e pata takuar Zef Kaçinarin, i cili nisi rrëfimin… dhe në një moment i rrodhën lotët… Zefi nuk ishte vrasës me paramendim, atë e bënë doras rrethanat e jetës së një mërgimtari shqiptar. Historia e tij fillon në një fshat të Prizrenit…”, ka shkruar Robelli në Facebook.

Shkrimi që tregon historinë e Zef Kaçinarit:

PORTRET I ZEF KAÇINARIT

«I përgjakur dhe i mbështetur për tramvaji e kam nxjerrë alltinë e Belgjikës dhe e kam qëlluar shoferin e tramvajit»: Zef Kaçinari rrëfen se si e vrau në Zagreb në vitin 1965 shoferin e tramvajit numër 11. Dhe si u krijua «Kënga e Zagrebit», e cila ende këndohet shpesh në Kosovë, ndonëse shumica e dëgjuesve mendojnë se është legjendë shqiptare ose përrallë. Por, Zef Kaçinari është gjallë dhe ka çfarë të tregojë nga jeta e tij e bujshme.

Enver Robelli

Të rralla janë ndejat dhe dasmat në Kosovë, në të cilat nuk këndohet «Kënga e Zagrebit».

Në fillim, siç tregojnë më të moshuarit, kënga këndohej me sharki e çifteli nëpër oda, ndërsa hyzmeqarët sillnin pijen e vetme për mysafirët – sherbet në gota të rënda të blera në Stamboll. Viteve të fundit e këndojnë edhe këngëtarë të estradës – me harmonikë, klarinetë dhe instrumente të tjera.

Tingëllon si një legjendë për tre shqiptarë, për një vrasje në Zagreb, një tramvaj. Tingëllon si një përrallë shqiptare për heroizma arkaikë, për ndodhi të përgjakshme të shqiptarëve të mërguar.

Por «Kënga e Zagrebit» mbështetet në një ngjarje të vërtetë. Zef Kaçinari, njeriu që e vrau shoferin e tramvajit numër 11, është gjallë.

Rrëfimin për ngjarjen më dramatike në jetën e tij ai e fillon në «Gradska kavana». Lokali gjendet në zemër të Zagrebit, në sheshin Ban Jelaçiq, i cili në kohën e komunizmit quhej Sheshi i Republikës. Në hyrje disa gra me veshje tradicionale bëheshin gati të defilonin në shesh, brenda as që dëgjohej zëri i Zef Kaçinarit për shkak të zhurmës së mysafirëve, kryesisht pleq dhe plaka, zotërinj të veshur me elegancë dhe zonja të rënda me stoli të stilit të vjetër, me kozmetikë moderne nga fabrikat e Parisit dhe me kostume të shtrenjta.

Biseda me Zef Kaçinarin pas pak vazhdoi në një kënd të sallës së qetë të hotelit «Dubrovnik», po ashtu në sheshin «Ban Jelaçiq».

Si jo pak shqiptarë të tjerë të mërguar në Kroaci në fund të viteve ’50, edhe anëtarët e familjes Kaçinari fillimisht shitnin pemë në tregjet e Zagrebit dhe punonin në një byrektore në Dubravë, një lagje atëherë periferike e kryeqytetit të kësaj republike jugosllave. Në vitin 1965 Zef Kaçinari zgjeroi biznesin, hapi edhe një byrektore në Karllovac. Puna ecte mirë. Zef Kaçinari filloi të stabilizohej ekonomikisht, të njoftohej me studentë shqiptarë, të merrte pjesë në mbrëmje letrare.

Por një ditë qershori të vitit 1965 Zef Kaçinari u përfshi në një konflikt të përgjakshëm, i cili ndryshoi shumë kahun e jetës së tij.

Më 19 qershor, ditë e shtunë, në Karllovac kishte shkuar Mark Allaki, një shok i Zef Kaçinarit nga Zagrebi. Ata vendosën që për fundjavë të shkojnë në Zagreb. Ditën tjetër, të dielën, ata kishin shëtitur nëpër qytet – si djem të rinj që me kureshtje zbulojnë një botë të re. Zefi thotë se me askënd nuk ka qenë i armiqësuar. Por ai po ashtu shpjegon se ka qenë prej atyre shqiptarëve që për çdo rast nuk e kanë larg armën. «Unë pa allti nuk kam ec kurrë, alltinë e kam pasë Herstal, belgiankë, 14 në okvir, një në cev, krejt 15 shekë», shpjegon Zef Kaçinari.

«Me datën 21 qershor 1965, ditë e hanë, kam dalë herët nga shpia dhe kam hyp në orën 6 në tramvaj. Aty e kam ba një gabim, po gabimi nuk o kon i madh. Kam hyp në Çernomerec në tramvaj, bashkë me Mark Allakin dhe me Prekë Dedë Gjinin. Nuk janë bo as tre minuta u nisë e rrehmja me kondukterin që shet bileta, se unë e kam bo një gabim, u desht me ble biletën me prelaz», tregon Zefi.

Me «prelaz» domethënë: një biletë me të cilën udhëtari kishte të drejtë të ndërrojë tramvajin dhe linjën. Bileta e Zefit dhe e shokëve të tij ishte e thjeshtë.

«N’atë dakik kur e ka pa që biletat i kemi gabim, kondukteri më ka sha me nanë dhe unë përnjëheri i kam ra. Tuj u rreh me kondukterin tramvaji u ndalë pas 500 metrash. Kanë ardhë konduktera të tjerë, na kanë ra me grushta. Masanej edhe udhëtarët na kanë rreh, krejt na kanë përgjakë. Jemi mbrojt aq sa kemi mujt, Mark Allaki ka ardhë me më ndihmu me një çadër dhe e ka prit kondukterin n’ballë, por kondukteri nuk u dorëzu».

Ndërkohë gjendja kishte eskaluar.

Tre shqiptarë rriheshin me dhjetëra udhëtarë të tramvajit, i cili kishte kaluar pranë Akademisë Ushtarake dhe stacioneve të tjera ndërsa ishte ndalur në Ilica 165, në rrugën kryesore të Zagrebit.

«Këtu unë kam mbet vetëm pa Mark Allakin dhe pa Prekë Dedë Gjinin», rrëfen Zefi.

Ndërsa rrëfen, Zefi vazhdimisht nxjerr gulçima. Shpesh i rrjedhin lotët. Flet për Zotin. Për librat e shenjtë. Dy shokët e Zefit tashmë ishin mposhtur nga udhëtarët dhe ishin nxjerrë nga tramvaji. Zefi ishte vetëm, por revolen nuk kishin arritur t’ia merrnin dot. E mbante në brez. Përnjëherë atij iu kishte afruar shoferi i tramvajit, kishte ardhur t’u ndihmonte shokëve të tij për të mposhtur Zefin.

«Ju kam drejtu Zotit, kur ka ardh ai i shkreti, ai vozaçi, kam qit me alltinë e Belgjikës, e kam vra me një plumb, ai ka mbet i vdekun pranë meje», shpjegon Zefi çastin më të rëndë të jetës së tij.

Pas arrestimit Zef Kaçinari dhe Marki Allaki u dërguan në klinikën «Rebro» pasi kishin pësuar plagë të rënda.