Pas një sëmundje dhe ndërhyrje mjekësore ka ndërruar Astrit Lulushi, gazetari dhe producenti i Zërit të Amerikës, që viteve të fundit ishte në pension.
Lajmin mortor e ka kumtuar gazetari Ilir Ikonomi.
“Sa keqardhje për Astrit Lulushin, kolegun tonë të Zërit të Amerikës! Sot në mëngjes mësova me tronditje se ishte ndarë nga jeta pas një operacioni të vështirë në veshkë. Astriti ishte fjalëpak, por me një mendje prej filozofi dhe shpirt prej poeti. Ato që nuk i thoshte me gojë i ka lënë në shumë e shumë libra interesantë që botoi gjatë viteve. Aty, ai fliste për kuptimin e jetës, analizonte natyrën dhe dijen njerëzore, veset dhe virtytet, tregonte për historinë dhe për njerëzit e saj të shquar, zhytej në honet e qenies njerëzore si askush tjetër për të eksploruar misteret dhe provokuar pyetje”, ka shkruar Ilir Ikonomi në një postim në rrjetet sociale.
Astrit Lulushi u lind më 1953 në Tiranë. Ai u arratis nga sistemi diktatorial më 1985 dhe një vit më pas nisi punën në radion “Zëri i Amerikës”. Sipas biografisë së tij, ai në këtë radio shërbeu në të gjitha detyrat: folës, përkthyes, gazetar, shkrimtar dhe producent.(INA)