Ndërroi jetë Hans Joachim Lanksch, përkthyesi dhe albanologu i famshëm

0

Ka ndërruar jetë, albanologu i famshëm Hans Joachim Lanksch.

I mërzitur për vdekjen e tij ka mbetur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, i cili tha se Hans- Joachim Lanksch ishte miku i madh i shqiptarëve por edhe popujve tjerë ballkanas, njofton Klan Kosova.

“Hans- Joachim Lanksch ishte miku i madh i shqiptarëve por edhe popujve tjerë ballkanas!
Studenti i Martin Camajt, mëpas përkthyesi i tij, përkrahësi dhe përkthyesi i Ali Podrimjes, Azem Shkrelit e Kasëm Trebeshinës në kohën e pakohë- vitet 90, kurrë nuk rreshti të përkrahë dhe përkthejë edhe dhjetëra autorë të ri shqiptarë nga Ballkani dhe krejt bota!
Kisha fatin ta njoh që nga viti 1995!
Kisha fatin ta kem mik- edhe kur pajtoheshim por edhe kur nuk pajtoheshim- që nga ai vit dhe deri në ditën e sotme kur ai u nis drejt Amshimit!
Pusho i Qetë Joachim”, ka shkruar Cufaj.

Hans-Joachim Lanksch lindi më 1943 në Braunschweig, Gjermani.

Ai jetonte në Munich dhe ka studiuar gjuhë sllave, ballkanologji, albanologji dhe folklor. Ai njihej si përkthyes nga shqipja dhe gjuhët sllave në gjermanisht.

Ndër autorët e përkthyer nga shqipja në gjermanisht mund të përmendim Martin Camaj, Kasëm Trebeshina, Azem Shkreli, Ali Podrimja dhe Vaxhid Xhelili.

Në revista dhe antologji, ai botoi përkthime të poezive nga Lasgush Poradeci, Mimoza Ahmeti, Primo Shllaku, Jamarbër Marko, Luljeta Lleshanaku, Visar Zhiti, Ledia Dushi, Kate Xukaro, Din Mehmeti, Adem Gajtani, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Mirko Gashi, Eqrem Basha, Edi Shukriu, Flora Brovina, Shaip Beqiri dhe prozë të Elvira Dones dhe Anton Pashkut.

Hans-Joachim Lanksch ishte Laureat i çmimit Nikolaus Lenau, 1999 dhe i çmimit Penda e Argjendtë, 2002 për përkthimin në gjuhë të huaj.