Ndërroi jetë veprimtari Gani Ratkoceri

0

Dje në mëngjes, në Tiranë – ka ndërruar jetë veprimtari shqiptar, Gani Ratkoceri – profesor i Historisë dhe botues i disa veprave nga kjo lëmi, veteran i luftës, i burgosur politik, si dhe i dekoruar me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptarë “Mësues i Popullit”.

Gani Ratkoceri ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj dhe ese nga historia jonë e re, por edhe një duzinë librash shkencorë-historik si “Kryengritja shqiptare më 1912” (Tiranë, 1997); “Idriz Seferi dhe Lëvizja Kombëtare në Kosovën Juglindore” (Tiranë, 2000); “Kujtime – ballafaqime me jetën” (Tiranë, 2000); “Adem Selimi Gllavica” (Tiranë, 2004) etj. Vepra më e njohur dhe e shoqëruar me komente dhe vlerësime të shumta nga lexuesit e veçanërisht intelektualë të njohur është monografia “Prof. Ahmet Gashi, rilindësi i fundit”.

Si student dhe aktivist i përkushtuar i çështjes kosovare, në vitin 1953, i shkroi kryeministrit shqiptar të asaj kohe ndërsa i kërkonte që, “të rinjve kosovarë të grumbulluar në kampe filtrimi, pa përjashtim, t’u krijohet mundësi për vazhdimin e studimeve të larta në universitet në degët që dëshirojnë; të tjerëve t’u jepet punë e shtëpi”, si dhe “Instituti i Historisë ta ripunojë historinë kombëtare në përgjithësi…, sidomos ngjarjet madhore, si Lidhja e Prizrenit, kryengritjet e mëdha në Kosovë 1908 e deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në tekstet e historisë për të gjitha nivelet e shkollave, udhëheqësit e kryengritjeve të mëdha janë trajtuar si tradhtarë. Ata të rehabilitohen sipas ndihmesës që kanë dhënë”.

Veprimtaria studimore, aktiviteti atdhetar për Kosovën dhe Shqipërinë e Gani Demir Ratkocerit zhvilloheshin në një kohë tepër të vështirë, kur diktatura totalitariste ndiqte me egërsi dhe persekutonte çdo person dhe ide përparimtare. Më 1978, Ganiu arrestohet si “irredentist” e dënohet me 9 vjet burgim me akuzën “Për agjitacion dhe propagandë”. Për nderë të 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Komunës së Lipjanit, kryetari i Komunës, Imri Ahmeti në vitin 2018 pati shpallur Gani Retkocerin “Qytetar nderi” i Komunës së Lipjanit për kontribut dhe veprimtarinë si mësues, profesor, historian dhe atdhetar.

Varrimi i të ndjerit bëhet të premten, në ora 12 me drekë, në fshatin e tij të lindjes Llugaxhi (Lipjan) në Kosovë.