Ndihma e BE-së në zhvillimin rural të vendeve të rajonit

Bashkimi evropian përmes komponentit të pestë të fondeve IPA (Zhvillimi rural- IPARD) ndihmon vendet e Ballkanit Perëndimor që ta zhvillojnë sektorin e bujqësisë, njofton agjencia e lajmeve INA.

Qëllimi kryesor i këtij komponenti (IPARD) është të kontribuojë në modernizimin e sektorit bujqësor përmes investimeve dhe në të njëjtën kohë edhe në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale. IPARD i kushton vëmendje të rëndësishme zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit bujqësor përmes plotësimit të standardeve të acquis lidhur me rritjen e aftësisë konkurruese të sektorit bujqësor dhe industrisë ushqimore në përputhje me standardet evropiane për sa i përket sigurisë ushqimore, veterinarisë, kushteve higjeno-sanitare, kushteve mjedisore, etj. Zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor dhe social ekonomik i zonave rurale synohet të arrihet përmes rritjes së aktiviteteve ekonomike dhe mundësive të punësimit të cilat do të kenë impakt pozitiv edhe në jetën shoqërore. Zhvillimi rural është komponenti nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai përqendrohet më së shumti në përmirësimin e efiçencës së tregut dhe zbatimit të standardeve të Komunitetit, rritjen e investimeve në sektorin e përpunimit dhe marketingut si për produktet bujqësore ashtu edhe ato të peshkut me qëllim ristrukturimin e këtyre aktiviteteve dhe përafrimin e tyre me standardet evropiane, në përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës rurale, etj.