Ndihmës sekretari i NATO-s në Shkup: Ju mirëpresim si anëtari i 30-të

0

Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për inteligjencë dhe siguri, ambasadori Arndt Freytag von Loringhoven po qëndron në Shkup në një vizitë treditëshe.
Gjatë vizitës së tij të parë në vend si shefi i inteligjencës i NATO-s, von Loringhoven përshëndeti votimin përfundimtar të Marrëveshjes së Prespës dhe premtoi mbështetjen e plotë të Aleancës për pranimin e vendit në NATO, përcjellë INA.

“Marrëveshja e Prespës është një kontribut i rëndësishëm për një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë,” tha ai duke shtuar: “Ju mund të mbështeteni në përkrahjen e NATO-s nëpërmjet procesit të pranimit dhe ne presim të ju mirëpresim si anëtari i 30-të i NATO-s”.

Ai më tej shprehu besim në angazhimin e vazhdueshëm të Shkupit ndaj reformave të mbrojtjes dhe sigurisë, duke i quajtur “një pjesë thelbësore e procesit të anëtarësimit”. NATO përshëndet përparimin e rëndësishëm të kohëve të fundit mbi transparencën, reformat gjyqësore dhe mbikëqyrjen civile të agjencive të inteligjencës dhe sigurisë në Shkup.

Arndt Freytag von Loringhoven është Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Inteligjencën dhe Sigurinë. Ai mori postin e tij në dhjetor 2016 dhe është përgjegjës për ofrimin e ndihmës së inteligjencës në Këshillin e Atlantikut të Veriut, si dhe këshillimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për çështjet e inteligjencës. Para emërimit të tij, ai shërbeu si ambasador gjerman në Republikën Çeke, dhe më parë ka shërbyer si nënkryetar i Shërbimit Informativ Gjerman.

Loringhoven në agjendën e tij ka takimet me krerët politik dhe institucional të Maqedonisë. Vizita e tij po zhvillohet në prag të votës finale në parlamentin grek të Marrëveshjes së Prespës dhe u zotua se Aleanca do të mbështes anëtarësimin e plotë të vendit në NATO. (INA)