Ndoka: Qetësia e rajonit është në pikëpyetje, derisa edhe Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s

Kryetari i Partisë Demokristiane të Shqiperisë (PDK) dhe deputet në parlamentin shqiptar, Nard Ndoka në një prononcim për Agjencin e Lajmeve Zhurnal, vlerëson se tani është momenti që ngërçi politik midis Greqisë dhe Maqedonisë rreth çështjes së emrit të marrë fund.

“Besoj se është momenti qe ky ngërç të zgjidhet, Maqedonia duhet të intensifikojë kontaktet diplomatike me Greqinë dhe SHBA-të, për të kaluar pengesën artificiale të emrit. Shpresoj dhe besoj se është momenti i duhur për të ecur në një stad të ri të zhvillimeve politike në rajon dhe më gjerë”, vlerëson për Zhurnal, Nard Ndoka, kryetar i PDK-së dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas tij, Maqedonia është e gatshme për anëtarësim në NATO dhe vendet anëtare e mirëpresin një vendim pozitiv.

“Qetësia në rajonin tonë është në pikëpyetje, derisa edhe Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s. Ballkani është i trazuar dhe vatër e hapur konfliktesh lokale, etnike, fetare dhe territoresh, ndaj anëtarësimi i shpejtë i Maqedonisë në NATO krijon një siguri në këtë aspekt për të gjithë”, thekson Ndoka.

Ai nënvizoi se zgjidhja e çështjes së emrit duhet të kalojë përmes një procesi negociatash transparente dhe të konsultuara paraprakisht me faktorin politik shqiptar në qeveri dhe opozitë.

“Shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e rëndësishme e institucioneve dhe e vendimarrjes së përbashkët. Kërkohet bashkëpunim, tolerancë dhe mirëkuptim reciprok, në këtë rast shqiptarët në Maqedoni duhet të tregojnë tolerancë maksimale, pasi pengesa vjen nga Greqia, ku gjasat janë për një reflektim serioz diplomatik dhe miqësor. Zgjidhja duhet të kalojë përmes një procesi negociatash transparentë dhe të konsultuara paraprakishtë me faktorin politik shqiptar në qeveri dhe opozitë”, thotë Ndoka./Zhurnal.mk