Shkruan Nafie Selmani
Sipas informatave jo zyrtare por që vijnë nga burime mirë të informuara, si dhe mediat, ministrat e mundshëm të koalicionit VLEN, të gjithë janë burra, dhe nga dje po përfolet vetëm një grua, por e cila përsëri është në garë me një burrë.
Është ky koalicioni të cilin që në fillim, nga të parat e kam përkrah publikisht e privatisht, dhe pastaj edhe jam bërë pjesë e listës zgjedhore të tij.
Të gjithë burra! Keq! Ndryshim apo Vazhdim? Kështu ishte edhe me BDI-në!
Më vjen keq për gratë në partitë respektive që nuk kanë arritur t’i dalin zot vetes, as nuk e di sa janë përpjekur për të zhvilluar një betejë për rolin dhe angazhimin e tyre ne frymën e barazisë dhe meritokracisë. Druaj se ka munguar përsëri solidarizimi mes tyre!
Personalisht, duke mos qenë pjesë e strukturave partiake, nuk kam pasë shumë në dorë. Atëherë kur kam pasë, në një parti, e kam zhvilluar këtë betejë me dinjitet dhe e udhëhequr nga parimi i drejtësisë. Të paktën jam përpjekur, kur janë mbyllur të gjitha mundësitë e rrugët, jam larguar. Jam krenare se nga eksponentët e kësaj partie jam quajtur Militante e drejtësisë.
Nëse dikush ka pritur që për koalicionin të cilin e kam mbështetur guximshëm dhe me dinjitet, do të heshti, ka gabuar në vlerësim. Jo të gjithë janë oportunistë, jo të gjithë janë servilë dhe kauzën e proklamuar gjatë fushatës e këmbejnë për një post!
Duke qenë mbështetëse e VLEN, dhe e kandidatit presidencial të VLEN-it, dhe e Gjashta në listat zgjedhore të VLEN, përgjegjësia morale dhe njerëzore për të reaguar bëhet edhe më e madhe. Drejtësia merr kuptim vetëm kur e realizon atë edhe nëse është kundër interesit tënd personal. Jam e vetëdijshme që pas këtij reagimi do krijoj armiq të rinj, deri dje “miq”, por thënia “Mik ty, më mik të vërtetën”, për mua gjithnjë do të Vlen!
Nuk e di si krerët e partive respektive të VLEN-it, kanë ardhur në këto kombinime burrash, por unë e di se ka plot gra në ato parti, madje më të afta e të ndershme se burrat.
Dhe, pasi plot njerëz, miq real por edhe disa tjerë virtual, përgjatë negociatave për formimin e Qeverisë, më kanë pyetur direkt, ose i kanë pyetur njerëzit e mi të afërt, në cilin post do jem, po e ndjej obligim për t’ju përgjigjur të gjithëve se asnjëra nga partitë respektive, dhe Bekim Qoku i cili ka kërkuar nga unë te bëhem pjesë e listës, as Arben Taravari, të cilin e kam mbështetur në të gjitha mënyrat, nuk më kanë kontaktuar fare për këtë çështje. Madje, Bekim Qoku as gjatë fushatës nuk më komunikuar gati për kurrgjë, në lidhje me fushatën. Une nuk e di pse.
Kështu, të gjithë ju që jeni interesuar për mua, keni vlerësuar dhe konsideruar se unë e meritoj të jem në ndonjë post qeveritar, Ju faleminderit shumë për konsideratën. E çmoj shumë! Edhe unë jam e vetëdijshme së pari për angazhimin dhe kontributin tim, por edhe për aftësitë e mia, sado që dua ta ruaj modestinë. Mirëpo, sikurse ju, nuk kanë menduar krerët e VLEN-it, dhe Bekim Qoku. Dhe, unë këtë e pranoj dhe respektoj, pavarësisht a pajtohem, por nuk e pranoj kurrë, as nuk pajtohem, se në kuadër të VLEN-it nuk ka gra të afta. Në këtë koalicion ka gra shumë më të afta dhe të ndershme se burrat, emrat e të cilëve po përmenden për ministra.
Po e përfundoj duke veçuar dy postime të Arben Taravarit, nga shumë qe ai ka shkruar me këso porosi, për të cilin dua të besoj se ai megjithëkëtë e ka pasë përnjëmendtë dhe sinqerisht: “Po vjen koha e profesionistëve! Po vjen koha që të respektohet aftësia e secilit!” dhe “IA VLEN sepse Meritokracia do të jetë njëra nga Kriteret bazë pas Fitores!” (nga muri i Arben Taravarit)
Ju priftë e mbara!
Beteja ime e vogël individuale për barazi dhe drejtësi vazhdon. Fisnikërimi politik do të ndodh, gjithnjë nëse ekziston edhe vetëm një i çmendur si puna ime që lufton për të.
Mirëdita, dhe më priftë e mbara edhe mua!